Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është votuar projektbuxheti për vitin 2021, raporton Gazeta Express.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se ky dikaster ka hartuar buxhetin për vitin 2021 me pasiguri të mëdha, shkaku i pandemisë, derisa ka treguar se fokusi kryesor i kësaj ministrie ka qenë rimëkëmbja ekonomike.
Gjatë diskutimit në ekzekutiv, disa prej ministrave kanë pasur kritika për projektbuxhetin.
Megjithatë, për këto deklarime ka reaguar Bajrami.
Ajo ka thënë se shkaku i situatës nuk mundet MF-ja që t’i përcjellë zotimet e asnjërit ministër.
“Nuk mundet ministrja e Financave me i përcjellë zotimet e asnjërit, janë të tjerët që duhet me e përcjellë Ministrinë e Financave”, ka thënë ajo.
Projektbuxheti është votuar pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
“Ministria e Financave ka filluar hartimin e buxhetit për vitin 2021, me pasiguritë që po na shoqërojnë mendoj që kemi bërë më të mirën për të përgatitur këtë projektbuxhet që është gjithëpërfshirës, duke shpresuar që pandemia të përfundojë së shpejti, nuk kemi arritur që të adresojmë të gjitha kërkesat e ministrive, sepse situata ka imponuar që të marrim vendime mjaft agresive”, ka thënë Bajrami.
Buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë 2.4 miliardë euro ose 200 milionë euro më pak se buxheti i sivjetmë.