Zemaj: Do të ketë rritje të kontrolleve

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar shtim të kontrollove për ta luftuar COVID-19.

Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media pas takimit me përfaqësuesit e Policisë se Kosovës, të Asociacionit të Komunave, Inspektoratit Qendror e Lokal dhe përfaqësues të tjerë për menaxhimin e pandemisë Covid-19.

“Jemi në përgatitje e sipërm për zbatueshmërinë e masave. U takuam me inspektoratin sanitar, me AKK-në dhe Policinë e Kosovës. Angazhimi do të jetë permanent, mirë i koordinuar dhe kemi plane të tjera. Do të ketë rritje të kontrolleve në shumë drejtime, jo vetëm në fokus të gastronomisë”, ka thënë Zemaj.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka paralajmëruar se do të shtohet edhe numri i policëve.

“Të shohim se a kemi nevojë për masa shtesë edhe për kufizimet. Situata nuk është duke shkuar në favorin tonë. Presim edhe kontingjentin e ri për 400 policë që do ta fillojnë punën. Insistimi ynë është parandalimi, në momentin kur kemi rritje të rasteve spitalore ne duhet të ndërmarrim masa”, ka thënë ai.