200 kompanitë me fitimet më të mëdha në Shqipëri

Biznesi i garantuar i koncesioneve kryeson në listën e kompanive më të mëdha sipas fitimeve, sa i përket përfitueshmërisë. I dyti renditet ndërtimi. Industria përpunuese është më e “diskriminuara”. Si u zhvillua në dekada një model i paqëndrueshëm zhvillimi, efektet e të cilit po bëhen të dukshme vitet e fundit. Renditja e kompanive më të mëdha “Monitor 200, sipas fitimeve” dhe e atyre me norma më të larta.

Bizneset me normat më të ulëta të fitimit. Problemet dhe mundësitëIndustria përpunuese renditet e fundit.

Shqipëria është vendi më bujqësor në rajon dhe ka avantazh në krahun e lirë të fuqisë punëtore (me pagën minimale më të ulët në Europë), por industria përpunuese mbetet e nënzhvilluar. Ajo zë 6.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), përkundrejt 14.5% në Serbi dhe 12.9% në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare nga institutet statistikore përkatëse.

Reklama e sponzorizuar

Prodhimi i produkteve ushqimore në Shqipëri, zë vetëm 0.9% të PBB-së, ndërsa vendi është më bujqësori në Europë, me 18.5% të PBB-së. Në të kundërt, në Serbi, ku bujqësia zë vetëm 6.1% të PBB-së, industria ushqimore kontribuon me 3.4%. Edhe Maqedonia fqinjë ka shifra të ngjashme, ku bujqësia dhe prodhimi i produkteve ushqimore sjellin përkatësisht 7.2% dhe 3.4% të PBB-së.

Modeli i zhvillimit të ekonomisë në tri dekadat e fundit ka qenë “parazitar”, duke nxitur, duke promovuar dhe duke mbështetur biznese që kanë fitime të larta e të lehta, që nuk i kanë sjellë vlerë të shtuar ekonomisë dhe as kanë nxitur investimet produktive. Sipërmarrjet e industrisë përpunuese rezultojnë me fitime minimale dhe nivel të ulët të qarkullimit vjetor, duke mbetur të vogla dhe pa investime domethënëse. 

Më pak fitime, do të thotë më pak investime, që në afat të mesëm e fut ekonominë në një rreth vicioz të mungesës së produktivitetit, ndërsa konkurrenca nga jashtë sa vjen e shtohet edhe për shkak të hapjes së tregjeve.

Në të kundërt, në dekadat e fundit kanë lulëzuar bizneset “dembele”, me fitime të garantuara nga marrja e një koncesioni në ofrimin e shërbimeve ekskluzive, duke shmangur shpesh konkurrencën. Në renditjen e 200 kompanive më të mëdha për vitin 2019, “Monitor 200 sipas fitimeve”, një publikim i përvitshëm i “Monitor”, gati 10% e sipërmarrjeve janë koncesione të dhëna gjatë 20 viteve të fundit. Këto biznese kanë dhe normat më të larta të fitimit në vend, që arrijnë deri në 80% për koncesionet e hidrocentraleve, ndonëse qarkullimi vjetor është i varur nga niveli i reshjeve.

Sektori i ndërtimit është i dyti me fitimet më të larta në vend, me rreth 15-20%. Ndërtimi po tërheq vitet e fundit kapitalet e lira të sipërmarrjeve shqiptare, për shkak të kthimeve të larta, të ndihmuara edhe nga prurjet informale të valutës, duke rrezikuar krijimin e një flluske në momentin që këto burime do të shterojnë, apo do të ketë vullnet politik për t’i ndaluar ato. Biznesi me shtetin (tenderët) mbetet po ashtu i preferuar. Normat e fitimit i kalojnë 15%, teksa gara në tenderë, sa vjen e po bëhet gjithnjë e më shumë fiktive.

Kompanitë tregtuese (karburanteve dhe mallrave që lëvizin shpejt nga rafti) kanë qarkullime të larta dhe ndonëse rezultojnë me norma të ulëta fitimi, sidomos për karburantet (2-8%), ato janë të konsiderueshme në vlerë absolute. Për sistemin bankar, 2019-a ka qenë një vit pozitiv, me norma kthimi rreth 30%, por sektori është shumë i varur nga ecuria e kredive me probleme, që gërryejnë fitimet përmes shpenzimeve për provigjionime. Kjo tendencë bën që një vit të rezultojnë me fitime të larta e një vit tjetër, me humbje. Sidomos pas pasojave që COVID-19 po jep te bizneset, efektet do të ndihen edhe në sistemin bankar, me rritjen e NPL e më pas edhe të provigjionimeve për këto kredi.

Modeli

Modeli i zhvillimit të ekonomisë në tri dekadat e fundit ka qenë “parazitar”, duke nxitur, duke promovuar dhe duke mbështetur biznese që kanë fitime të larta e të lehta, që nuk i kanë sjellë vlerë të shtuar ekonomisë dhe as kanë nxitur investimet produktive. 

Kompanitë shtetërore, nga ana tjetër, janë të përqendruara në fushën e energjisë dhe aktiviteti i tyre është tepër i varur nga moti, siç e tregoi dhe ecuria e vitit 2018, ku energjia kontribuoi në më shumë se gjysmën e rritjes prej 4% nga reshjet e bollshme dhe rënia e shpejtë e 2019, ku performanca ekonomike u përgjysmua, e ndikuar nga thatësira.

Sipas të dhënave nga bilancet e kompanive, të përpunuara nga “Monitor”, 100 subjektet e para fituan në total rreth 72 miliardë lekë, ose rreth 580 milionë euro, me një rënie prej 13% në krahasim me 100 sipërmarrjet me fitime më të larta në vitin 2018. Efektin kryesor në këtë përkeqësim e dha performanca e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e ndikuar nga moti i pafavorshëm për reshje në 2019-n, në ndryshim nga viti i mëparshëm.

Kjo shumë përbën 25% të të gjitha fitimeve të deklaruara në Shqipëri në vitin 2019 (bazuar në tatimfitimin e paguar në 2018-n, fitimet totale të biznesit arrijnë në rreth 243 miliardë lekë). Fitimet e 100 subjekteve janë sa rreth 4% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto).

Që të hysh në renditjen e 100 më të mëdhave sipas fitimeve, subjekti duhet të ketë një fitim minimal prej 1.8 milionë eurosh, para taksave (një vit më parë, kufiri ishte 2.3 milionë euro).

Dy grupet me fitimet më të mëdha në vend për vitin 2019 janë Kastrati me 3.2 miliardë lekë dhe Balfin, me 2.6 miliardë lekë.

Përkundrejt qarkullimit të lartë vjetor, në pjesën më të madhe, fitimet e kompanive shqiptare janë të ulëta, pasi pjesa më e madhe e tyre operojnë në tregti, me marzhe të ulëta shitblerjeje. Vetëm 14 kompani kishin fitime më të larta sesa 10 milionë euro dhe rreth 25 të tjera, nga 5-10 milionë euro. Shumica e sipërmarrjeve të mëdha rezultojnë me fitime më të ulëta se 5 milionë euro, ndërsa për sektorin prodhues, rrallëherë i kalojnë 1 milion euro.

Në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve ka tre banka, dy koncesionarë, tre shoqëri që veprojnë në fushën e ndërtimit, telekomunikacione, tregtim nafte.

BURIMI: PËRLLOGARITJE TË MONITOR, BAZUAR NË BILANCET E QKB

 Koncesionet

Në dekadat e fundit kanë lulëzuar bizneset “dembele”, me fitime të garantuara nga marrja e një koncesioni në ofrimin e shërbimeve ekskluzive, duke shmangur shpesh konkurrencën. Në renditjen e 200 kompanive më të mëdha për vitin 2019, “Monitor 200 sipas fitimeve”, një publikim i përvitshëm i “Monitor”, gati 10% e sipërmarrjeve janë koncesione të dhëna gjatë 20 viteve të fundit. Këto biznese kanë dhe normat më të larta të fitimit në vend

DHJETË KOMPANITË ME FITIMET MË TË LARTA NË VLERË ABSOLUTE

1.Banka Kombëtare Tregtare

Në vend të parë është “Banka Kombëtare Tregtare” (BKT), e cila vitin e kaluar ishte e dyta në renditjen e “Monitor 200 sipas fitimeve”. Fitimi para taksave i bankës më të madhe në vend ishte 7.8 miliardë lekë (me një rënie prej 10% në krahasim me vitin e mëparshëm), me një normë prej rreth 31.3%.

Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues i Bankës Kombëtare Tregtare, pohon se në 2019-n, “kemi forcuar më tej pozicionin tonë udhëheqës në shumë aspekte dhe jemi fokusuar te cilësia e portofolit, duke optimizuar pritshmëritë për riskun/kthimin, në mënyrë që të arrijmë të ulim nivelin e kredive me probleme. Kemi analizuar sektorët me risk dhe jemi më vigjilentë ndaj tyre, për arsye se ka ende një mungesë të transparencës sa u takon bilanceve të kompanive dhe raportet e auditimit financiar janë ende të limituara në treg”.

2.Raiffeisen Bank

“Raiffesien Bank”, e treta më e madhja në vend sipas aktiveve, renditet e dyta në listën e “Monitor 200 sipas fitimeve”, nga e treta që ishte vitin e mëparshëm. Fitimi para taksave ishte 3.6 miliardë lekë, me një tkurrje prej 9.3% në raport me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ishte gati 32%.

Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri, thotë se “viti 2019 ishte shumë i suksesshëm për Raiffeisen Bank dhe jemi vërtet shumë të kënaqur me rezultatet dhe progresin e arritur. Kemi shënuar rezultate shumë të mira në tregues të shumtë të performancës.

Vlera e kredive për individë dhe biznese është rritur dhe kreditë me probleme janë ulur në krahasim me vitin e kaluar. Banka ka përparuar më tej në rrugëtimin e saj drejt transformimit dixhital falë përpjekjeve dhe përkushtimit të të gjithë kolegëve që janë të përfshirë”.

Z.Canacaris shton se viti 2020 dhe në vijim do të jetë i vështirë për shkak të pandemisë COVID-19. “U kemi ardhur në ndihmë klientëve tanë që ta kalojnë këtë periudhë plot sfida dhe do t’i mbështesim ata edhe më tej. Pavarësisht nga kriza, ne do të vijojmë të investojmë në procesin e dixhitalizimit dhe do të vazhdojmë t’u ofrojmë klientëve tanë, individë dhe biznes, platforma, shërbime dhe produkte novatore që synojnë të lehtësojnë përvojën bankare dhe t’ua bëjnë jetën e përditshme edhe më të lehtë”.

3.“Tirana International Airport” (TIA)

“Tirana International Airport” (TIA), kompania që operon me koncesion aeroportin e vetëm në vend, atë të “Nënë Terezës”, është ngjitur në vendin e tretë në renditje, nga i katërti një vit më parë. Fitimi para taksave i kompanisë ishte 3.1 miliardë lekë, pothuajse i njëjtë me vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ra në 45%, nga 49% vitin e mëparshëm, për shkak të rritjes më të ngadaltë të të ardhurave në raport me shpenzimet. Në vitin 2019, TIA përpunoi një nivel rekord pasagjerësh prej 3.1 milionë.

Por, kjo kompani rezulton ndër më të goditurat nga COVID-19 në vitin 2020, për shkak të pezullimit të përkohshëm të fluturimeve në tremujorin e dytë dhe tkurrjes së fortë në muajt e tjerë të 2020-s. Sipas INSTAT, për periudhën janar-gusht 2020, numri i fluturimeve dhe transporti i pasagjerëve përmes ajrit janë tkurrur me rreth 50%, me bazë vjetore.

4.“Aleat”

“Aleat”, kompania që ka me koncesion prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit, është një hyrje e re në renditjen e “Monitor 200, sipas fitimeve”. Fitimet e koncesionarit u katërfishuan në 2.7 miliardë lekë, duke reflektuar mbarimin e ciklit dhjetëvjeçar të pasaportave dhe kartave të identitetit. Norma e fitimit ishte 38% në vitin 2019.

5.“Intesa Sanpaolo Bank Albania”

“Intesa Sanpaolo Bank Albania” është një tjetër hyrje e re në renditjen e këtij viti. Banka raportoi fitime prej 2 miliardë lekësh, më 2019, më se dyfishim në raport me vitin e mëparshëm, me një normë prej 33%.

Silvio Pedrazzi, Kryetari i Shoqatës së Bankave dhe Drejtor i Përgjithshëm i bankës “Intesa Sanpaolo Bank Albania” thotë se viti 2020 dhe në vijim do të jenë të vështira, si rrjedhojë e COVID-19. “Mendoj se pasojat e vërteta të kësaj situate për sektorin bankar do të mund t’i shohim vetëm duke filluar nga fundi i këtij viti dhe sidomos në fillimin e vitit të ardhshëm”, thotë z. Pedrazzi.

“Që në mes të muajit korrik, ofruam një paketë, nga të cilat klientët mund të zgjidhnin dhe aprovimi ynë ishte praktikisht automatik. Për sektorët më të prekur, kryesisht në sektorin e turizmit, ne ofronim zgjatjen e moratoriumit deri në dy vjet. Mendoj se është detyrë e bankave, por edhe në interes të bankave, të mbështesin ato ndërmarrje që punësojnë familjet, në këtë moment vështirësie”, pohon ai.

6.Kastrati Group

“Kastrati Group” është sipërmarrja më e madhe në vend për të ardhurat, por nuk përfshihej në dhjetëshen e fitimeve, për shkak të normës së ulët të fitimeve. Në vitin 2019, fitimet e kompanisë para taksave arritën në 1.85 miliardë lekë, me zgjerim 26%, duke u renditur e gjashta, nga pozicioni i 11 vitin e kaluar. “Duke tërhequr vëmendjen në menaxhimin e kujdesshëm, ecuria e kompanive tona ka shënuar një performancë të qëndrueshme dhe pozitive edhe në vitin 2019”, thotë zëvendëspresidenti i Kastrati Group, z. Leonard Kastrati.

7.Vodafone Albania

Operatori më i madh i telefonisë celulare, “Vodafone”, për të dytin vit radhazi është në renditjen e 10 më të mëdhenjve, po në pozicionin e shtatë, pas humbjeve të 2017-s. Fitimi i kompanisë para taksave ishte 1.8 miliardë lekë, në 2019, me rritje prej rreth 8% në raport me vitin e mëparshëm.

Ndonëse të ardhurat ranë lehtë, mbajtja nën kontroll e shpenzimeve, ndikuan në përmirësimin e performancës së kompanisë.

8.“Alb-Star”

“Alb-Star”, pjesë e grupit “Finman”, më i madhi i ndërtimit në vend, ka rritur ndjeshëm të ardhurat në vitin 2019, në 1.6 miliardë lekë, me trefishim në krahasim me 2018-n, duke u renditur, për herë të parë, mes më të mëdhenjve për fitimet. “Nga analiza e gjendjes dhe performancës financiare të shoqërisë, rezulton se në ushtrimin 2019 është rritur shifra e afarizmit dhe fitimi tregtar”, thuhet në raportin e aktivitetit.

“Raportet e rentabilitetit për vitin 2019 janë: Fitimi mbi shitjet para shpenzimeve financiare (interesave) 17.73%, fitimi neto mbi shitjet para tatimfitimit, 19.04%”, sipas raporti. ALB-STAR Ltd, sipas burimeve zyrtare, është një nga kompanitë më të mëdha në Shqipëri, në fushën e shërbimeve inxhinierike, veçanërisht në veprat hidraulike, të tilla si furnizimi me ujë, kanalizimet, monitorimi dhe sistemet e kontrollit, mbrojtja e lumenjve, në infrastrukturën e transportit, siç janë rrugët, autostradat, urat dhe vepra të tjera të rëndësishme, në mbrojtjen e mjedisit, në industrinë mekanike, punime të mekanizuara për industrinë e naftës, etj. AlbaStar është një prej kompanive më aktive dhe një fitues i rregullt në tenderët e punëve publike në vend dhe gjithashtu sipërmarrësi që ndërtoi “Air Albania Arena”.

9.Alb-Building

“Alb-Building” është një tjetër sipërmarrje në fushën e ndërtimit, që hyn për herë të parë ndër 10 më të mëdhenjtë e fitimeve, kompania raporti një rezultat financiar prej 1.5 miliardë lekësh, me një rritje prej 70%, që erdhi si rrjedhojë e zgjerimit të ndjeshëm të të ardhurave. Norma e përfitueshmërisë ishte 34.1%. Shoqëria zhvillon aktivitetin në ndërtimin e veprave social-kulturore, rrugë, ujësjellës, shfrytëzim, përpunim dhe tregtim i materialeve inerte, si dhe prodhim dhe tregtim i materialeve të ndërtimit, sipas burimeve zyrtare. Kompania bën të ditur se në vitin 2019, ka përfunduar së ndërtuari aksin “Fushë-Krujë – Thumanë”, si dhe ka vijuar aktivitetin në projektet e tjera si segmenti Qukës-Qafë Plloçë, së bashku me tunelin dhe segmentin e rëndësishëm të by-pass të Fierit.

10.Gjoka Konstruksion

Sipërmarrja në fushën e ndërtimit, “Gjoka Konstruksion”, është renditur për të dytin vit radhazi në listën e më të mëdhenjve (në 2019-n ishte e gjashta). Fitimet e shoqërisë ishin 1.4 miliardë lekë, me një tkurrje prej 35%. Kompania ka aksione në shoqëritë “Gjoka Konstruksion – Energji sh.p.k.”, “Diteko sh.p.k.” (HEC), dhe “Gjoka 87”, që menaxhon kontratën koncesionare/PPP “Për përmirësimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit”. “Gjoka 87” raportoi të ardhura prej 5.6 miliardë lekësh, por fitimi ishte në norma përfitueshmërie minimale (vetëm 424 mijë lekë).

Kurum dyfishon fitimet

Për prodhuesin e çelikut, Kurum, një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend, 2019-a ka qenë pozitive. Fitimet arritën në 1.3 miliardë lekë, me dyfishim në raport me vitin e mëparshëm, duke e renditur atë në vendin e 11në renditjen e “Monitor 200, sipas fitimeve”. “Gjatë vitit 2019, Kurum International pati një ecuri të mirë, me vijueshmëri në rritje të treguesve kryesorë ekonomikë, qoftë në xhiro, prodhim dhe shitje të shufrave të çelikut, qoftë edhe në fitimin e realizuar”, thotë Arif Shkalla, drejtor ekonomik i Kurum.

Por, 2019-a e ka ndikuar negativisht aktivitetin. Kështu në muajt mars-prill-maj, shoqëria ndërpreu përkohësisht prodhimin, pati rënie të theksuar në shitje (shitjet u ulën me gati 65%, duke realizuar vetëm 30-35% të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar). Por, në gusht dhe shtator të 2020-s, aktiviteti u përmirësua, si rrjedhojë e kërkesës më të lartë dhe Kurum filloi eksportet direkte në Serbi, duke kompensuar disi humbjet në periudhën e karantinës.

Vit i vështirë për sipërmarrjet e energjisë

Për sipërmarrjet shtetërore të energjisë, 2019-a nuk ka qenë pozitiv, për shkak të motit të thatë pa reshje, ndryshe nga viti 2018, kur ato lulëzuan.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), që në 2018-n kryesonte renditjen e fitimeve me 10.5 miliardë lekë, raportoi në vitin 2019, një rezultat nga aktiviteti prej 1.3 miliardë lekësh, me një rënie prej 87%. Rënia e fitimeve reflektoi tkurrjen e të ardhurave, si rrjedhojë e një viti jo të mbarë sa i përket reshjeve, ndryshe nga 2018-a kur moti me shi rriti ndjeshëm prodhimin e energjisë dhe si rrjedhojë të ardhurat dhe fitimet.

“Sfida është të ulim varësinë e prodhimit të energjisë nga tekat e motit”, thotë z.Benet Beci, administrator i përgjithshëm i KESH. “Kemi filluar projektet e diversifikimit, me energjinë diellore e atë të erës. Në afat të gjatë po punohet për ngritjen e hidrocentralit të Skavicës, që do të bënte të mundur menaxhimin e të gjithë Kaskadës së Drinit më një cikël me të gjatë se një vjeçar siç është sot, çka do të na mundësonte të ruanim rezervat e energjisë për kohë më të gjatë”.

Ndërsa fitimi nga aktiviteti i KESH ishte në rënie të fortë, fitimi fiskal që njihet nga tatimet për 2019-n, në bazë të së cilit paguhet tatim fitimi, rezultoi 5.2 miliardë lekë, duke e vendosur KESH të dytin në vend, sipas fitimeve. Si rrjedhojë, KESH, sipas burimeve zyrtare pagoi 790 milionë lekë tatim fitimi në 2019-n.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), në 2018-n u rendit i katërti me 3.2 miliardë lekë. Në vitin 2019, rezultati ishte në kontrast të plotë, me humbje prej 4.2 miliardë lekësh. Si pasojë e prodhimit të ulët të KESH dhe blerjes së energjisë në treg të lirë, kryesisht import, shpenzimet për blerje dhe transmetim energjie rezultuan 45% më të larta, ose 11.4 miliardë lekë më shumë se ato të planifikuara, sipas burimeve zyrtare.

Administratori i përgjithshëm i OSHEE Group Sh.A, z. Adrian Çela, pohon se viti 2019 për OSHEE ishte “sfidues”, i përsëritur pas thatësirës së vitit 2017 dhe situata u rëndua më tej nga thatësira e vitit 2020. Kjo thatësirë çon indirekt në rritjen e kostos së blerjes së OSHEE-së, duke qenë se KESH që është burimi me çmim të ulët i energjisë, nuk është në gjendje të prodhojë sasitë e planifikuara për të lëvruar tek OSHEE. “Sektori energjetik në Shqipëri është mjaft i ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike, dhe OSHEE është shoqëria e cila mbart gjithë efektet (dëmin në këtë rast), shkaktuar nga këto ndryshime.

Statistikat tregojnë që thatësirë kaq e gjatë (vitet 2017, 2019 dhe 2020) është përjetuar në vitet ‘91-‘92, por duhet të themi që thatësira e viteve të fundit është edhe më e rëndë”. Çela shton se, nëse kjo situatë do të bëhet e përhershme, atëherë Shqipëria do të ketë një sfidë të re në vitet që vijnë sa i përket diversifikimit të burimeve energjetike, siç është rasti i impianteve fotovoltaike, në mënyrë që vendi të mos jetë i varur nga importi i energjisë.

Dalin nga lista nënkontraktorët e TAP

Nënkontraktorët e TAP, vitet e fundit, janë rreshtuar në dhjetëshen e kompanive më të mëdha, si për fitime, ashtu dhe për të ardhura. Teksa projekti është drejt përfundimit, disa prej tyre ishin në listën e më të mëdhenjve sipas qarkullimit vjetor, por nuk figurojnë më në atë të fitimeve.

“Spiecapag Shqipëria”, “Spiecapag Transadriatica” (që në renditjen e 2018-s ishte në vend të dhjetë), “Bessac”, kanë dalë nga renditja e fitimeve. Në listë është vetëm “Renco Terna Albania”, e 47-a, me gati 500 milionë lekë fitime (kompania fitoi tenderin për ndërtimin e stacionit të kompresorëve në Fier.

Gazsjellësi TAP, një pjesë e gjurmës të të cilit kaloi dhe nga Shqipëria, është investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, me vlerë prej 1.5 miliardë eurosh. Për shkak të madhësisë, specifikës dhe ekspertizës së kërkuar, pjesa më e madhe e punimeve të vështira është kryer nga kompani të huaja, duke lënë pak vlerë të shtuar në vend.

Gazsjellësi tashmë është pothuajse i përfunduar dhe brenda tremujorit të katërt të këtij viti, pritet të transportojë sasinë e parë të gazit. Malfor Nuri, menaxher i TAP për Shqipërinë, pohoi se rreth 40 kompani shqiptare kanë marrë pjesë në ndërtimin e gazsjellësit, si pjesë e rrjetit tonë të kontraktorëve dhe nënkontraktorëve. Ai shton se TAP-i ka investuar fuqishëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në vend. Për të mundësuar transportin e sigurt të tubave prej çeliku nëpër Shqipëri, u ndërtuan nga e para ose u restauruan, rreth 220 km rrugë dytësore dhe 42 ura, nga të cilat përfitojnë mbi 200,000 njerëz.

BIZNESI I MIRË I KONCESIONEVE (TË VJETRA)

Koncesionet, të dhëna nëpër vite, po rezultojnë biznesi më fitimprurës në ekonomi. Mungesa e “dhuruar” e konkurrencës u mundëson operatorëve të fiksojnë çmimet dhe të kenë norma të larta fitimi, që arrijnë edhe mbi 50%. Krahas “Tirana International Airport” dhe “Aleat”, që janë në 10 më të mëdhenjtë, shumë shoqëri të tjera koncesionare rezultojnë në listë, duke pasur tregues kthimi shumë mbi mesataren e bizneseve të tjera.

Sipërmarrje të hapura që nga fillimi i viteve 2000, raportojnë norma të larta fitimi. P.sh., “Regjistri i Barrëve Siguruese”, një kontratë koncesionare e vitit 2009 për veprimtarinë e mbajtjes, ruajtjes, kryerjes së

të gjitha veprimeve në lidhje me Regjistrin e Barrëve Siguruese, kishte një normë fitimi prej 70% në vitin 2019.

“Durrës Container Terminal”, që ka me koncesion terminalin e pasagjerëve, kishte një normë fitimi prej 54% në 2019-n, nga 42% vitin e mëparshëm. Në vitin 2011, kompania nënshkroi një kontratë koncesionare me Ministrinë e Transporteve të asaj kohe për menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të Terminalit të Kontejnerëve në Portin e Durrësit dhe filloi operimin në shkurt 2013. Në vitin 2017, Ministria e Transporteve ka kërkuar zgjidhjen e koncesionit për mirëmbajtjen e terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit, me argumentin se koncesionari “Durrës Container Terminal” Sh.a. nuk ka përmbushur kushtet e kontratës.

Një hetim i Autoritetit të Konkurrencës në 2019-n gjeti se kompania aplikonte tarifa deri në 85% më të larta për shërbimet e saj, nga ato të përcaktuara nga Autoriteti Portual i Durrësit. Kontrata u anulua vetëm në vitin 2020, pas një beteje të gjatë ligjore për prishjen e kontratës së Partneritetit Publik-Privat midis kompanisë turke dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë që Kompania Kurum, një nga aksionerët e koncesionit të terminalit, ka paditur në shtator të këtij viti Shqipërinë në arbitrazh ndërkombëtar, duke kërkuar një dëmshpërblim me vlerë të raportuar prej 100 milionë eurosh për prishjen e kontratës së terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit, sipas një artikulli në “Global Arbitration Review” – një revistë e specializuar për çështjet e arbitrazhit.

“Alb-Sale-Vlora”, një koncesion i llojit të Partneritetit Publik-Privat i miratuar në vitin 2009, për shfrytëzimin e ish-Ndërmarrjes së Kripës së Vlorës, kishte një normë kthimi prej gati 50%.

“Anijet e Shërbimit Detar”, një shoqëri koncesionare e vitit 1998, me aktivitete marrjen e praktikave të anijeve në mbërritje e të tjera, raportoi një normë fitimi prej 44% në vitin 2019.

“GFI Albania”, koncesionari i markimit të karburanteve, i miratuar në vitin 2013 me synim ndërtimin dhe testimin e Sistemit Operativ për ofrimin e shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në RSH, kishte një normë prej 31.3%.

“SGS Automotive Albania”, që prej vitit 2009 zbaton kontratën e koncesionit “Për shërbimin e kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve rrugore me motor”, kishte një kthim prej 30.3%. Në fillim të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se shërbimi i kolaudimit do të mbetet ekskluzivitet i kompanisë zvicerane deri në dhjetor të vitit 2020. Ministria njoftoi se shtyja e afatit është bërë me kusht, që do të thotë se në kuadër të liberalizimit, nëse ka një marrëveshje të re me një subjekt tjetër SGS (koncesionari) njoftohet tre muaj para dhe heq dorë nga çdo pretendim. Me përfundimin e këtij koncesioni, qeveria po liberalizon tregun, por ndërkohë në relacionin e projektbuxhetit 2021 bëhet i ditur plani për dhënien me koncesion e PPP, të infrastrukturës së bazës së të dhënave dhe mbikëqyrjes së Qendrave të Kontrollit Teknik të Mjeteve Rrugore, me vlerë 20 miliardë lekë, për të cilin nuk ka detaje.

Një vit jo i mbarë për koncesionarët e rinj

Ndërsa 2018-a ishte pozitive edhe për kompanitë e reja koncesionare që janë miratuar vitet e fundit (që ndryshe nga ato të mëparshme, i marrin pagesat direkt nga shteti), fati nuk u ka buzëqeshur në vitin 2019.

“Albanian Highway Concession” raportoi rënie të ndjeshme të fitimeve në 2019-n, në 13.8 milionë lekë, nga 189 milionë lekë në vitin 2018, pasi kompania ka rritur ndjeshëm shpenzimet për lëndët e para, ndonëse të ardhurat u zgjeruan. Kompania ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot – Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj filloi vetëm në shtator të vitit 2018. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila).

Kompania raportoi të ardhura 2.6 miliardë lekë në vitin e parë të plotë të aktivitetit, me rritje prej 27% në raport me 2018-n. Të ardhurat nga aktiviteti i shfrytëzimit ishin 1 miliard lekë, ndërsa 1.2 miliardë lekë ishin nga investimet (fondet që merr nga buxheti i shtetit për kompensimin e trafikut të munguar). Kompania raporton në bilanc se ka 37 punonjës në shitje dhe 20 në ndërtim dhe terren, ndërsa punimet i kryen kryesisht nëpërmjet nënkontraktorëve. Shoqëria ka nënshkruar një kontratë huaje në banka, në datën 03 maj 2017, me vlerë totale 28.5 milionë euro, e cila do të disbursohet në disa këste.

“Sani Service” fitoi në vitin 2015, koncesionin për “Ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, për një afat 10-vjeçar. Ndryshe nga 2018-a, kur fitimet e kompanisë ishin 265 milionë lekë, Sani Service deklaroi humbje në vitin 2019 për shkak të rritjes së shpenzimeve të amortizimit dhe shpenzimeve të tjera të veprimtarisë.

Në vitin 2019, nga buxheti janë paguar për koncesionin e sterilizimit 2.1 miliardë lekë, përfshi dhe pagesat e prapambetura, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Kostot për këtë koncesion janë rritur vazhdimisht, pasi pagesat për këtë kontratë realizohen sipas skemës (pay x use), prandaj tejkalimi në nivel vjetor i numrit të ndërhyrjeve të planifikuara sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Por, nga ana tjetër, i siguron më shumë të ardhura koncesionarit.

“3P Life logistic”, që zbaton Kontratën e Koncesionit/Partneritetit Publik- Privat për Paketën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë për

Grupmoshat 40-65 vjeç; “Integrated Energy BV”, që po zbaton projektin e inceneratorëve në Tiranë; dhe “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni, nuk kanë dorëzuar ende bilancin e 2019-s.

BURIMI: QKB

HEC Banje

KONCESIONET E ENERGJISË, SIPËRMARRJA MË FITIMPRURËSE NË VEND

Sipas shifrave zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, i realizuar për vitin 2019, është 5,206,043 MWh. Prodhimi i energjisë elektrike, i realizuar nga KESH sh.a. zë 57.3% të totalit dhe nga prodhuesit e tjerë, zë 42.7%.

Po sipas ERE-s, për vitin 2019, numri i centraleve prodhuese private, të cilat kanë prodhuar energji elektrike, është 197, ku 7 prej tyre janë prodhues të pavarur, të cilët zotërohen nga 3 subjekte të licencuara, kurse pjesa tjetër prej 190 centralesh janë prodhues me përparësi të energjisë elektrike, të cilët zotërohen nga 136 subjekte të licencuara në aktivitetin e prodhimit të energjisë elektrike. Në total, kapaciteti i instaluar i centraleve prodhuese private është 827 MW, ku kapaciteti i instaluar i centraleve të prodhuesve të pavarur është 252 MW, kurse 575 MW u përkasin centraleve të prodhuesve me përparësi të energjisë elektrike.

Ndonëse 2019-a nuk ka qenë një vit i mbarë për prodhimin e energjisë, dhe të ardhurat kanë rënë, shumë subjekte që kanë hidrocentrale private me koncesion kanë raportuar norma fitimi tepër të larta. Aktorët e tregut pohojnë se biznesi i HEC-eve private jep kthime të larta, teksa pas investimit fillestar, shpenzimet e mirëmbajtjes dhe administrimit janë të ulëta.

“Energo-Sas” është krijuar në vitin 2006 dhe shfrytëzon burimet e energjisë nga hidrocentrali Sasaj, në Sarandë. Aksioner kryesor është grupi “Agna”. Kompania raportoi në vitin 2019, fitime prej 156 milionë lekësh, me një normë prej 80%. Shitjet neto ishin 196 milionë lekë, me një tkurrje prej 27% me bazë vjetore. Sipas raportit vjetor, shpenzimet e personalit përbënin 20% të totalit, ndërsa pjesa tjetër janë shpenzime konsumi dhe amortizimi dhe të tjera shfrytëzimi (gjithsej rreth 62 milionë lekë).

“HEC-i i Tërvolit” zbaton kontratën koncesionare të vitit 2007. Sipas burimeve zyrtare është e para kompani, e cila ka ndërtuar të parin HEC me investim privat, pas viteve ’90. Hidrocentrali i Tërvolit ndodhet rreth 7 km nga rruga kombëtare Cërrik – Gramsh dhe shfrytëzon ujërat e lumit të Holtës me skemën me derivacion. Të ardhurat ranë me 26% në 267 milionë lekë, por norma e fitimit mbeti e lartë, në 72%.

“Alb-Energy” ka gjeneruar nga aktiviteti i saj 440 milionë lekë të ardhura, nga shitja e energjisë elektrike nga HEC Bele 1 dhe Topojan 2, në Kukës. Klienti i vetëm i shoqërisë është OSHEE. Norma e fitimit ishte 70% në 2019-n, me rënie të lehtë në krahasim me vitin e mëparshëm. Kompania është pjesë e Alb-Building, një prej më të mëdhave të ndërtimit në vend.

Për kompanitë e tjera, normat e fitimit variojnë nga 25-60%.

BURIMI: QKB

BIZNESI I NDËRTIMIT NUK ZHGËNJEN

Shumë sipërmarrës nga sektorë të ndryshëm po diversifikohen në ndërtim. Norma e lartë e fitimit dhe kthimi i shpejtë janë arsyet kryesore se pse kompanitë rendin pas ndërtimit. “Pallati ndërtohet dhe shitet shpejt, vetëm dy herë duhet të kalosh aty, ndërsa industria përpunuese ka telashe dhe andralla pa fund”, thotë administratori i një prej sipërmarrjeve më të mëdha të industrisë përpunuese në vend, që së fundmi po investon dhe në ndërtim.

Puna me shtetin gjithashtu shpërblen. Jo rastësisht, në listën e 10 më të mëdhenjve sipas fitimeve, tre ishin nga sektori i ndërtimeve inxhinierike (“Alb-Star” me normë fitimi 19%; “Alb-Building” me 34.1% dhe “Gjoka Konstruksion me 23.7%”).

Si kompanitë rezidenciale, ashtu dhe ato inxhinierike (rrugët e të tjerëve përmes tenderëve) raportojnë një panoramë të kënaqshme financiare dhe norma fitimi dyshifrore. Në vitin 2019, fitimet kanë mbetur të qëndrueshme për pjesën më të madhe të kompanive, kryesisht në punimet inxhinierike, ndërsa normat janë rritur. Ndërsa për apartamentet, fitimet luhaten në bazë të ciklit të shitjeve.

Kompanitë me aktivitet në ndërtimin e rrugëve dhe punëve publike, që vitet e kaluara nuk arrinin më shumë se 25% normë fitimi, tashmë e kanë rritur marzhin dhe, në disa raste, deklarojnë edhe më shumë se 30%, në një tregues indirekt të uljes së konkurrencës reale në garat publike.

Nga sektori rezidencial, më fitimprurëset në vitin 2019 janë “Fratari Construction 1990” (57.2%); “Erjoni” (16.5%); “Kika” (8.9%); “Homeplan”, (20.6%), “Agi-Kons” 11.2%, etj.

Ndër subjektet e ndërtimit me norma më të ulëta janë “Rafaelo 2002”, prej 3.5%; “Parc Construction” 3.4%, “Gjikuria”, 6.4%.

BURIMI: QKB

NAFTA, ULJA E ÇMIMEVE RRITI NORMAT E FITIMIT

Nafta është sektori që xhiron më shumë para në vend. Gati 20 operatorë të tregtimit të karburanteve përfshihen në renditjen e 200 më të mëdhenjve sipas të ardhurave (nga të cilët katër në dhjetëshen kryesore), duke qarkulluar rreth 1.5 miliardë euro. Por, në renditjen tjetër “Monitor 200, sipas fitimeve”, sipërmarrësit e naftës renditen shumë më poshtë.

Ata janë me pikatore dhe raportojnë norma shumë të ulëta kthimi, 0.5-3%, duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4 – 7%.

Por, në vitin 2019, norma e fitimit për sektorin është rritur me 0.5-1 pikë përqindje. Operatorët e tregut e shpjegojnë këtë me tendencën ulëse të çmimeve të tregtimit të karburanteve në vend. Ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk reflektohet me të njëjtin ritëm dhe kohë në tregun vendas dhe kjo çon në rritjen e normave të fitimit. E kundërta ndodh kur rritet çmimi.

Në vitin 2018, norma e fitimit të sektorit ishte ulur dhe sipas operatorëve, kjo u shpjegua me shtimin e barrës fiskale (ku vetëm kosto e taksës së rilicencimit shkoi nga 3 lekë në 10 lekë për litër), ndërsa çmimet nuk patën luhatje për shkak të konkurrencës.

Në renditjen e 100 më të mëdhenjve, sipas fitimeve, është vetëm “Kastrati” (shumicë dhe pakicë), ndërsa “Bolv Oil”, “Genklaudis”, “Gega Center” renditen pas pozicionit të 100.

“Kastrati Group sha”, është i gjashti në renditjen e “Monitor 200, sipas fitimeve”. Norma e kthimit u rrit nga 2.4 në 2.8% në 2019-n, e ndikuar nga tendenca ulëse e çmimeve. “Kastrati”, tregtuesi me pakicë, ka pasur gjithnjë një normë më të lartë, që për 2019-n u rrit nga 4.2 në 4.9%.

Operatori tjetër i shumicës, “Bolv Oil”, ka raportuar një normë fitimi para taksave prej 3.1%, nga 2.7% në vitin 2018.

Edhe për “Gega Center GKG”, norma e fitimit u rrit në 2.8%, nga 1.8% vitin e mëparshëm. “Europetrol Durrës Albania” dhe “Genklaudis”, që renditen ndër më të mëdhenjtë në vend për nga të ardhurat, nuk përfshihen në listën e 100 më të mëdhenjve të fitimeve dhe kishin një normë kthimi minimale prej 0.5 – 0.6%.

BURIMI: BILANCET NE QKB

VITI 2019 ISHTE I MIRË PËR DISTRIBUTORËT, POR DITË TË VËSHTIRA I PRESIN PAS COVID-19

Segmenti i distributorëve, i përqendruar në tregtinë me shumicë të mallrave që lëvizin shpejt nga rafti, raportoi përmirësim të nivelit të përfitueshmërisë, për disa sipërmarrje më të vogla, ndërsa ishte në rënie për më të mëdhenjtë.

“AGNA”, kompania më e madhe distributore, ka deklaruar një fitim prej rreth 660 milionë lekësh, me një normë prej 4.2%, me rënie të lehtë në raport me një vit më parë. “Alpha sh.a.”, pjesë e të njëjtit grup me AGNA, pa një rënie të lehtë të fitimeve në 502 milionë lekë, me një normë kthimi prej 4.9%.

“Marketing & Distribution” pa rritje të fitimeve me 37%, në 302 milionë lekë. Edhe norma e fitimit u rrit lehtë në 3.3%, nga 2.7% vitin e mëparshëm.

“Inter Distribution Service” ka deklaruar një normë fitimi prej 1.8%, me rënie të lehtë nga një vit më parë.

“Albanian Distribution & Development” rezulton një nga më fitimprurëset në këtë segment, me një normë të qëndrueshme fitimi prej 14.7%, në rritje nga 12.7% vitin e mëparshëm.

Kthime të larta raporton dhe “Interbrands” prej 9.2%, por me rënie prej 1.5 pikë përqindjeje në raport me vitin e kaluar.

Më fitimprurësi në 2019-n vijoi të jetë për të tretin vit radhazi “Inter Trade & Distribution”, norma e përfitueshmërisë e së cilës ishte 17.7%, ose 3.4 pikë përqindje më shumë se në vitin 2017.

Pozitive ishte 2019-a edhe për “Elka sa”. Kompania pa një rritje të fitimeve me 28%, në 632 milionë lekë, me një normë prej 14.4%, duke u renditur në vendin e 34 në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve.

BURIMI: QKB

Distributorët janë një prej segmenteve që pritet të kenë dhe goditjen më të madhe nga ndryshimi i sjelljes konsumatore pas COVID-19. Këtë shqetësim, ata e kanë ngritur dhe në raportet vjetore 2019, që u hartuan në kohën kur vendi ishte mbërthyer në një nga krizat më të paprecedenta. Të dhënat e INSTAT për tremujorin e dytë treguan se ekonomia ra me 10% me bazë vjetore. Konsumi u godit në të gjithë komponentët, ku të vetmet që rezistuan ishin produktet e lidhura me konsumin e domosdoshëm (ushqimet) dhe detergjentët e të tjera, përdorimi i të cilave u rrit në kuadër të masave higjienizuese të imponuara nga pandemia e COVID-19.

Sipas INSTAT, indeksi i shitjeve neto në volum për tremujorin e dytë ra me 8.3% me bazë vjetore në total. Indeksi për “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” u rrit me 0.6%, ndërsa për “Artikuj joushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, u tkurr me gati 9%.

TREGTIMI I AUTOMJETEVE

Tregu i automjeteve të reja në vend mbetet i nënzhvilluar, si rrjedhojë e informalitetit të lartë të atyre të vjetra, si dhe mungesës së fuqisë blerëse. Tregu i automjeteve të reja zinte rreth 6% të totalit në 2019-n, sipas të dhënave zyrtare për importet.

Ndonëse të gjitha markat kanë hyrë në vend, nëpërmjet përfaqësuesve zyrtarë, që kanë investuar në ngritjen e salloneve luksoze, u përgjigjet një treg i kufizuar i shitjes dhe norma kthimi minimale.

Sipas të dhënave nga Automobile Club Albania (ACA), u targuan gjithsej 3,234 automjete të reja, me një rritje prej 6% në krahasim me një vit më parë. Ndonëse në rritje, pesha e automjeteve të reja mbetet tepër e ulët në raport me ato të përdorura. Po në vitin 2019 u targuan rreth 47 mijë automjete të përdorura.

Normat e fitimit të distributorëve luhaten në rreth 4 – 6%, ku më fitimprurësi në vitin 2019-n rezulton “Mektrin Motors” me 6.8%. /Monitor.al/

RENDITJA E KOMPANIVE ME FITIMET MË TË LARTA