Tri kontrata për furnizim me vitrina ekspozuese për ekspozitën e përhershme në Muzeun Kombëtar të Kosovës janë bërë sebep që ish-drejtori i këtij institucioni, Skender Boshtrakaj, të përballet me Gjykatën. Sipas Aktakuzës, Boshtrakaj akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Aktakuza e përgatitur nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës është ngritur pasi për këtë rast ishte bërë një kallëzim penal nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Prokuroria pretendon se Boshtrakaj ka dëmtuar buxhetin e Ministrisë së Kulturës në vlerë prej 269 mijë e 440 eurosh. Sipas Prokurorisë, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për prokurim publik, Boshtrakaj si drejtor i Muzeut të Kosovës ka anashkaluar procedurat e prokurimit, kur në janar, shkurt dhe prill të vitit 2018 ka nënshkruar kontrata për furnizim me kompaninë “TIKI” SH.P.K. Veprimet e Boshtrakajt, Prokuroria i ka kategorizuar si vepër penale duke u bazuar në paragrafin e parë të nenit 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në seancën e parë të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të martën, Skender Boshtrakaj është deklaruar i pafajshëm. Të mërkurën, i kontaktuar nga KOHA, ka thënë se për rastin e tij të prononcohet avokati Vigan Rogova.
“Gjendja faktike e përshkruar në dispozitivin e kësaj aktakuze bindshëm vërtetohet nga deklarata e përfaqësuesit ligjor të së dëmtuarës, Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vjollca Aliu…”, shkruhet në Aktakuzë. Kontratat e nënshkruara nga Boshtrakaj për furnizim me vitrina ekspozuese, Muzeut i kishin hyrë në punë për të hapur ekspozitën e përhershme në shkurt të vitit 2018 me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Dizajni ishte bërë nga një grup punues i emëruar nga Ministria e Kulturës. Deri atëherë, Muzeu nuk kishte ekspozitë të përhershme.
“Po ashtu përfaqësuesja ligjore e së dëmtuarës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vjollca Aliu, ka deklaruar se është dashur të respektohen Ligji mbi prokurimin publik dhe Rregullorja 01/2013 për financa publike, në këtë rast Skender Boshtrakaj, drejtor i Muzeut të Kosovës nuk e ka respektuar Ligjin mbi Prokurimin publik…”, shkruhet në Aktakuzën e nënshkruar nga prokurorja Dulina Hamiti. Aty sqarohet se Boshtrakaj ka thënë se i ka lidhur kontratat dhe se Muzeu nuk është institucion i pavarur, por nën vartësi të MKRS-së dhe Muzeu nuk ka kapacitete të brendshme dhe persona përgjegjës për prokurim. Muzeu ashtu sikurse të gjitha institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës nuk i bëjnë pagesat vetë. Mjetet zotohen, lëndët certifikohen dhe pagesat ekzekutohen nga zyrtarët e Ministrisë së Kulturës.
Avokati Rogova ka thënë se klienti i tij akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare me qëllim që tjetrit, në këtë rast kompanisë që ka kryer punime i ka sjellë dobi pasurore, përfitim pasuror të kundërligjshëm.
“Për aq sa kemi shqyrtuar provat, prokuroria nuk ka arritur të provojë që i akuzuari e ka kryer këtë vepër penale”, ka thënë Rogova.
Sipas avokatit, në Aktakuzë thuhet se kontratat janë nënshkruar pa procedurë të prokurimit publik. “Ndërkaq në Ligjin për prokurimin publik nuk ceket se në rastin konkret drejtori i Muzeut duhet të zhvillojë këtë procedurë. Muzeu është nën vartësi të MKRS-së. Sipas ligjit, kjo nuk ka qenë kompetencë e drejtorit”, ka thënë Rogova.
Sipas tij, sa i përket përfitimit pasuror, Prokuroria nuk ka prova pasi çmimet janë përcaktuar nga një grup punues i formuar nga Ministria e Kulturës me qëllim të organizimit të ekspozitës së përhershme për 10-vjetorin e Pavarësisë.
“Pra ka pasur transparencë të plotë në përzgjedhjen e kontraktuesit dhe në caktimin e çmimit. Pagesat janë bërë nga ana e Ministrisë e jo nga drejtori i Muzeut”, ka thënë Rogova.
Kontratat e nënshkruara nga Boshtrakaj janë përmendur edhe në Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018. Auditorët në lëndët e MKRS-së kishin hasur edhe në këto kontrata, për të cilat gazeta kishte raportuar në qershorin e vitit 2019.
“Muzeu i Kosovës gjatë vitit 2018 kishte nënshkruar tri kontrata për furnizim me interier në vlerë totale 269,440 euro pa zbatuar ndonjë procedurë të prokurimit. Këto kontrata ishin nënshkruar nga drejtori i Muzeut të Kosovës”, shkruhej në raport.
Skender Boshtrakaj në maj të vitit 2015 ishte emëruar drejtor i Muzeut të Kosovës. Paraprakisht MKRS-së i kishin dështuar tri konkurse për ta bërë me drejtor këtë institucion. Boshtrakaj, i cili është magjistër i skulpturës dhe i menaxhimit të politikave publike prej tetorit 2011 deri në korrik të viti 2014, ishte zëvendësdrejtor i MK-së. Para se të emërohej drejtor kishte udhëhequr me Divizionin për Menaxhim të Integruar dhe Turizëm Kulturor. Gjykata Themelore në Prishtinë në qershor të vitit 2018 kishte ardhur në përfundim se emërimi i Boshtrakajt në pozitën e drejtorit ishte bërë në kundërshtim me ligjin. E kishte konstatuar këtë tek pas tre vjetësh. MKRS-ja ishte detyruar që ta largonte atë e ta kthente në pozitën paraprake. Më pas Boshtrakaj kishte marrë pushim pa pagesë. E prej marsit të këtij viti ka hequr dorë nga marrëdhënia e punës me Ministrinë e Kulturës. Tash është pjesë e stafit të Agjencisë austriake për zhvillim, ADA.