Autostrada e Dukagjinit ishte kusht për koalicionin qeveritar LDK-AAK

Lidhja Demokratike e Kosovës është dorëzuar përballë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me Autostradën e Dukagjinit. Përderisa një vit më parë, nga LDK’ja e konsideronin gabim fatal këtë projekt, të premten u njoftua se autostrada është përfshirë në draftbuxhetin për vitin 2021. Por, kur u morën vesh këto dy parti për këtë projekt? Flet Pal Lekaj

Istogu, Peja, Deçani, Gjakova e Prizreni do të lidhen mes vete me autostradë përfundimisht. Pavarësisht se nga LDK’ja kishin instistuar e një autostradë e tillë s’do të ndërtohej, fjalët i kanë zbutur pas lidhjes së koalicionit me partinë e Ramush Haradinajt.

Ndërtimi i kësaj autostrade tashmë është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2021.

Reklama e sponzorizuar

Një gjë të tillë e ka konfirmuar Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë së Kosovës.

“Një projekt të cilin e kemi kontraktuar më herët por duhet fonde shtesë për të finalizuar është ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit, Istog-Pejë- Deçan-Gjakovë”, ka thënë Abrashi, të premten.

Por, kur u morën vesh këto dy parti për ndërtimin e kësaj autostrade dhe a ishte ky projekt kusht për marrëveshjen për koalicion?

Ish-Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i ka thënë Gazetës Express se përfshirja e këtij projekti në draftëbuxhetin e vitit 2021 është sinjal se LDK e ka kuptuar seriozitetin e projektit.

“Është e vërtetë që si parti e kemi patur premtim ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit, projektimi i sëcilës tashmë është dashtë të përfundojë. Por poashtu është e vërtetë se pandemia i ka ndryshuar paksa prioritetet e Qeverisë dhe e vërteta e madhe është se, LDK si partner i madh i koalicionit ka qenë dhe është në dijeni të insistimit tonë që t’i jepet shansi materializimit të projektit, Autostrada e DUKAGJINIT.

Përfshirja e këtij projekti në draftëbuxhetin e vitit 2021 është sinjal se LDK e ka kuptuar seriozitetin e projektit dhe është poshtu lajm i mirë për rreth 600 mijë qytetarë të Kosovës dhe sidomos për ekonominë e tyre. Qëndrojmë me besim se kjo autostradë do të ketë fillimin dhe përfundimin e vet sipas standardeve më të larta”, ka deklaruar Lekaj.

Lekaj e ka pranuar se ndërtimi i kësaj autostrade ka qenë kusht i AAK’së për marrëveshje me LDK’në.

“Nuk rrezikohet (koalicioni) se kemi marrveshje politike dhe duhet të implementohet. (Autostrada e Dukagjinit) ka qenë kusht i marrëveshjes”, ka deklaruar Lekaj për Express.

Ndryshe, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kishte deklaruar para rreth një viti se shpenzimi i miliardave të buxhetit vetëm në asfalt është gabim fatal.

“Nëse një mësim Kosova duhet ta ketë nxjerre në 10 vitet e fundit, atëherë i njëjti është se shpenzimi i miliardave te buxhetit ne asfalt – dhe asgjë tjetër – është gabim fatal. Me projekte të tilla, me kosto dy tre fish në të lartë se në Evropë, me shterrje të buxhetit për shume vite, Kosova ka lenë në gjendje kolapsi shëndetësinë, arsimin dhe gjyqësinë – tri fushat prioritare të qytetareve tanë”, kishte thënë Abdixhiku.

Sipas tij, qytetarët e vendit kanë nevoja të tjera dhe se një miliardëshi i adresuar për autostradë do t’iu jepte zgjidhje shumë prej këtyre problemeve.

“Konsideroj se vendi ynë – përfshirë dhe banorët e Dukagjinit – kanë nevoja krejt tjera. Ato natyrshëm janë të lidhura me vendet e punës, me përkujdesin më të mirë shëndetësor, me edukim me cilësor e me shtet të së drejtës. Një miliardëshi i adresuar për autostradë do t’u jepte zgjidhje shumë prej këtyre problemeve”, kishte deklaruar Abdixhiku për Express.

Ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit nuk e kishin përkrahur as nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu i kishte thënë Gazetës Express se ish ministri Pal Lekaj ka marrë vendim për variantin final të këtij projekti pa analizë paraprake të fizibilitetit, pa arsyeshmëri ekonomike dhe në kundërshtim me të gjitha planet hapësinore në Kosovës.

Edhe Aliu kishte thënë se ky projekt është në shërbim të interesave private.

“Cenimi i pakthyeshëm i tokave bujqësore nën komasacion dhe me sistem ujitjeje, përveçse është dëm ekonomik është edhe veprimtari e ndaluar me ligj. Vendimi ad-hoc si dhe caktimi ad-hoc i korridoreve të autostradës është pikërisht modeli i kësaj Qeverie, e cila improvizon projekte të pastudjuara në shërbim të interesave private të mirëpërllogaritur”, kishte thënë Aliu.

Sipas tij, miliardëshi i paraparë për autostradë do të mund të shkonte për rregullimin e shtratit të Drinit të Bardhë në Rahovec dhe subvencionimet e projektet që avancojnë teknologjinë përpunuese të prodhimeve bujqësore.

“Përse të shpenzohen 1 miliardë euro për autostradën kur parashihen projekte edhe për zgjerimet e rrugëve ekzistuese. Rruga Prizren-Gjakovë është në projekt të zgjerohet në 4 shirita? Përse paralel me këtë rrugë të ndërtohet autostradë? Njëjtë me këtë projekt, Qeveria po punon drejt projektit të vazhdimit të autostradës deri në Merdarë ndërkohë që ka filluar zgjerimi i rrugës ekzistuese me katër shirita dhe kjo autostradë do të jetë paralel me këtë rrugë me një distance 1-5 km nga ajo”, thuhej në përgjigjet e Aliut.