Avokati i Popullit kërkon të mos i shkurtohet buxheti këtij institucioni

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka kërkuar nga deputetët që institucionit që ai udhëheq të mos i shkurtohet buxheti për vitin 202.

Qelaj gjatë shqyrtimit të raportit vjetor financiar të këtij Institucioni për vitin 2019, para Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Transfere, ka deklaruar se buxheti nuk duhet të shkurtohet pasi institucioni ka marrë detyra shtesë.

“Kërkesa buxhetore e institucionit të aprovohet dhe të mos shkurtohet siç ka ndodhur vitin e kaluar sepse ajo e pengon punën e institucionit”, tha ai, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Bedri Hamza nga PDK-ja ka kërkuar që kërkesa e Avokatit të Popullit për shumën e buxhetit të jetë e arsyeshme.

“Është një vendim i Gjykatës Kushtetuese qe i jep një autonomi në përgatitjen e buxhetit por i kisha lutur që të gjitha këto të jenë të kujdesshëm sepse kemi pasur raste me organizata më herët që nga autonomia që i është dhënë ka shkuar përtej të nevojshmes. Iu lus të jeni të arsyeshëm dhe racional në kërkesat e juaja”, tha tutje.

Kurse kryetari i Komisionit, Hekuran Murati, ka thënë se Avokati i Popullit duhet të kursejë paranë publike

“Iu lusim që të ketë racionalizim të shpenzimeve duke marrë parasysh edhe situatën ne të cilën gjendemi, pra kursimi i parasë publike sepse kemi rënie në të hyra”, shtoi tutje.

Deputetët kanë miratuar raportin financiar të këtij institucioni për vitin e kaluar.