Deputetët “në njërën anë i vajtojnë punëtorët e në anën tjetër i vrasin”

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat në Kosovë i ka quajtur të pafytyrë deputetët e Kuvendit të Kosovës, teksa ka thënë se historia do t’i gjykojë siç ishte gjykuar ish-diktatori rumun Nikolai Çaushesku.

Çaushesku ishte rrëzuar nga pushteti në vitin 1989 pas disa demonstratave që çuan në revolucion. Ai ishte gjykuar shpejt dhe ishte dënuar me vdekje.

Në një komunikatë për media të premten, sindikata e punëtorëve të sektorit privat ka thënë se deputetët “në njërën anë i vajtojnë punëtorët e në anën tjetër i vrasin”.

Reklama e sponzorizuar

Duke komentuar përplasjet e së enjtes në Kuvend, ku deputetët diskutuan për gjendjen në sektorin privat, sindikata ka thënë se deputetët me mosmiratimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike po i bëjnë vrasje ekonomisë së Kosovës e në veçanti punëtorëve të sektorit privat.

Kjo sindikatë ka thënë se të enjten disa deputetë pranuan se “punëtorët e këtij sektori po trajtohen si skllevër, që do të thotë se edhe vetë shteti pranoi se në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve jo që nuk investuan, por për kundër ishin akterë të barabartë me pronarët në diskriminimin e jetës së punëtorëve”.

“Tani pushtetarët dolën hapur treguan pafytyrësinë e tyre që po i bëjnë me decenie ndaj kësaj kategorie të shtypur që po lufton për mbijetesë. Sa merr një deputet në muaj ne nuk marrim për një vit. Këta deputet në njërën anë të vajtojnë e në anën tjetër të vrasin. A nuk është vrasje mosmiratimi i ligjit për rimëkëmbje ekonomike, vrasje direkt për ekonominë e Kosovës e në veçanti për punëtorët e sektorit privat. Shumë shpejt do vijë koha që historia do ju gjykojë për veprimet e juaja, ashtu siç u gjykua Nikolai Çaushesku, as ai nuk ka bërë kurrgjë më shumë se atë që po e bëni ju sot”, thuhet në reagim.