Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës po bën intervistimin e dëshmitarëve, lidhur me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”: Blerim Kuçi, ministër i Ekonomisë dhe Ambientit, Fatos Qerimi, sekretar i përgjithshëm; Arsim Janova, kryesues i Bordit dhe Petrit Pepaj, drejtor menaxhues i Zyrës së Rregullatorit për Energji si dhe Arben Çitaku, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë.
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka thënë se ka tri leje ujore, por rasti më i ndjeshëm siç është ai Lumbardhi 2, nuk ka leje mjedisore. Ka thënë se nuk ka bërë asnjë presion tek askush dhe se lëshimi i lejeve nuk është në kompetencë të ministrit.
“Të gjitha lejet dhe aktet që janë lëshuar janë bërë publike. Të gjithë materialin ju tashmë e keni në dispozicion. Kemi qenë transparent. Jemi të vetëdijshëm që po hetohet nga komisioni hetimore. Edhe jemi të vetëdijshëm që prokuroria është duke hetuar”, ka thënë ai.
Ndërsa kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Arsim Janova, ka thënë se vendimi është marrë pasi pala ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. Ai ka thënë se besojnë se veprimet e tyre janë në përputhje me ligjin.
Deputeti Avdyl Haxhiu ka shprehur dyshimet se si për dy javë janë plotësuar kriteret. Ai ka hedhur dyshime edhe në deklaratat e komisionit për lëshim të lejeve që ka lëshuar licenca që ka vleresuar se zona është rehabilituar. Sipas tij, gjendja në terren flet ndryshe.
Deputetja Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se kush mund të bind atë se gjendja është e mirë atje kur, siç tha ajo, ka parë masakrimin në atë zonë.
“Gjendja në Grykën e Deçanit është e papranueshme dhe ju i keni lëshuar leje mjedisore përkundër kësaj”, ka thënë Gaxherri. “Do te duhej që të shkoni atje ju ministër dhe të shihni gjendjen, e mos të lejoni që të nënshkruante sekretari këtë leje. Leje mjedisore me ju dhënë, e me pa atë mjedis, është e papranueshme dhe për këtë duhet të jap përgjegjësi”, ka thënë ajo.
Edhe deputeti Artan Abrashi nga Vetëvendosje ka pyetur se mbi çfarë baze e ka fituar kompania Kelkos të drejtën e shfrytëzimit të ujit, që është pasuri shtetërore. Sipas tij, Ligji për ujëra parasheh që kjo të bëhet me koncesion.
Deputeti Bajrush Xhemajli ka thënë se në atë pjesë ku është thënë leja ka rrëshqitur bjeshka dhe përkundër kësaj është dhënë leja.