Kryetari i Gastronomeve të Kosovës Veton Zuka, në një pronocim për Ekonomia Online, ka thënë se futja e Prishtinës në karantinë është e palogjikshme, duke theksuar se çdo mbyllje mund t’i shkaktojë gastronomisë humbje të mëdha.
Madje, ai shtoi se kanë dërguar kërkesë edhe në Ministri të Financave, dhe nëse nuk ndërmerret diçka në këtë drejtim, opsioni i vetëm mbetet protesta.
“Mbyllja veç po flitet që nesër ka me ndodh, një bllokim dhe një karantinë e Prishtinës. Ne gjithqysh kemi për të reaguar për arsye se çdo mbyllje që ka ndodhur nuk ka pasur as subvencione dhe nuk është plotësuar asnjë kërkesë e gastronomeve. Sigurisht që do të reagojmë. Bizneset janë në frustrim enorm dhe ne nuk jemi duke mundur t’i menaxhojmë sepse janë në gjendje shumë të keqe. Edhe çfarëdo lloj proteste mund të ndodh përderisa nuk plotësohen kërkesat tona që janë elementare për mbijetesë. Me kalimin e kohës kemi për ta shqyrtuar çdo koncept të protestës që do ta bëjmë”, tha ai.
Ai ka thënë se mbyllja e gastronomisë do të ketë pasoja edhe për bizneset tjera.
“Futja e Prishtinës në karantinë është e palogjikshme sepse nëse e krahasojmë me qytetet të tjera, atëherë Prishtinën edhe në bazë të testeve që po bëhen, nuk del që duhet të karantinohet. Edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti është kundër kësaj mbyllje. Gastronomia është një hallk që e fut në funksion edhe shumë biznese të tjera. Ka për të pësuar shumë jo vetëm Gastronomia por edhe furnizuesit. Ne kemi dërguar kërkesat edhe në Ministri të Financave dhe janë të vetëdijshëm për të gjitha kërkesat tona. Po presim derisa të ndërmarrin diçka, ose ose atëherë na mbetet vetëm protesta”, shtoi Zuka.