Institucionet akuzohen për shkelje ligjore në ndërtimin e hidrocentraleve

Megjithëse janë kompetentë që të hetojnë keqpërdorimet, anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve kanë thënë se nuk kanë njohuri të mjaftueshme për procesin e licencimit.

Para se të fillojë intervistimi i zyrtarëve të ZRRE-së, deputetët kanë pranuar që Komisioni nuk posedon dokumentacionin dhe informatat e nevojshme.

“Meqenëse kemi të bëjmë edhe me mungesë të njohurive elementare dhe me mungesë të dokumentacionit tash e disa mbledhje çështja është se çfarë pyetje duhet të shtrojmë në mungesë së dokumentacionit”, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Kjo ka nxitur debat në mes deputetëve.

“Në rast se vazhdohet tutje kësisoj unë mendoj se nuk kam arsye të jem pjesë e këtij komisioni dhe të vijmë të papërgatitur totalisht në një takim që mund të diskutohen shumë probleme të rëndësishme”, është shprehur deputeti tjetër i VV-së, Shpejtim Bulliqi.

“Është e pafalshme që të më sulmoni mua pse nuk kam marrë dokumentet. Unë nuk kam faj që s’kanë ardhur dokumentet, i kemi dërguar më 21 shkresat, janë afatet… As Ministria e Ambientit, as komuna e Deçanit, as e Dragashit as e Shtërpcës nuk i kanë sjellë, çfarë të bëjë tash unë”, ka thënë Eliza Hoxha e PDK-së, si kryesuese e Komisionit.

Kjo ka bërë që përfaqësuesit e ZRRE-së të mos hasin në kundërargumentim, teksa kanë arsyetuar dhënien e licencave të përkohshme.

“Unë konstatoj se jemi plotësisht jemi me ligjin, sa ligje janë shkelur deri tash duke i përmendur edhe zonat e mbrojtura nuk është çështje e Zyrës së Rregullatorit kjo”, ka thënë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Arsim Janova.

Por se këto leje janë lëshuar kundërligjshëm në mbledhjen e dytë të këtij komisioni, ka dëshmuar aktivistja e shoqërisë civile, Shpresa Loshaj.

“Askund nuk i jep mandat ZRRE-së të lëshojë leje të përkohshme nëse nuk e ke lejen mjedisore. Ai paragraf që ZRRE-ja e cek nëse e ke certifikatën që është tjetër, nuk ka të bëjë me hidrocentrale. Janë munduar që të përdorin një paragraf tjetër që nuk aplikohet, pasi leja mjedisore është tjetër”, është shprehur Loshaj nga organizata “Pishtarët”.

Gjatë mbledhjes kanë raportuar edhe disa banorë të Grykës së Deçanit, të cilët kanë folur për dëmet që janë bërë nga kompania “Kelkos” në atë pjesë.