Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndihmën që ia ofroi Ndërmarrjes Publike “Trepça” pas grevës së punëtorëve që pezulluan punën e tyre në minierë, shkaku i mos marrjes së pagës së tetorit.
Ata shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me shmangien e obligimeve ligjore nga ana Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit si institucion dhënës i kësaj ndihme, me vendimin e marrë, dhe nënvizojnë faktin se ky vendim ka të ngjarë të përbëjë ndihmë shtetërore në kuptimin e Ligjit të Ndihmës Shtetërore. Për më tepër, sipas tyre ndarja e këtyre mjete duket se nuk është pjesë e ndonjë skeme të ndihmës për këtë ndërmarrje ose ngjashëm – gjë që e kualifikon më shumë si një ndihmë ad hoc.
Vendimi për të mbështetur ndërmarrjen në vështirësi Trepça është i kundërligjshëm pasi ka shmangur procedurën ligjore (sipas nenit 11 (1) të Ligjit për Ndihmën Shtetërore), thonë nga Komisioni dhe se ky vendim nuk është njoftuar te autoritetet e mandatuara për të konstatuar përputhshmërinë me ligjin (Departamentin e Ndihmës Shtetërore – DNSH në MF dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore) dhe për ta autorizuar atë – para se të vëhet në zbatim.
Prandaj, mbi këtë bazë Komisioni i Ndihmës Shtetërore, nën dyshimin për dhënien e ndihmës së kundërligjshme, i kërkon dhënësit të kësaj ndihme (MEA) të paraqesë të gjitha të dhënat për ndihmën në fjalë, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve pune, nga dita e pranimit të kërkesës. /Buletini Ekonomik/
Më poshtë edhe reagimi i plotë i Komisionit të Ndihmës Shtetërore:
“Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH) në mbledhjen e tij të rregullt më datë 20.11.20 ka diskutuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 01/44 të datës 16.11.20 në lidhje me ndarjen e mjeteve për të mbështetur Ndërmarrjen Publike Trepça. Sipas vendimit shuma e ndarë për Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), përkatësisht Njësinë për Monitorimin e NPve prej nga ndahen mjetet për NP Trepça, është në vlerën prej 1mil Euro ndërsa instrumenti i ndihmës është subvencion shih vendimin:
Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka shprehur shqetësimin në lidhje me shmangien e obligimeve ligjore nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës (në mënyrë specifike Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit si institucion dhënës i kësaj ndihme), me vendimin e marrë, dhe nënvizon faktin se ky vendim ka të ngjarë të përbëjë ndihmë shtetërore në kuptimin e Ligjit të Ndihmës Shtetërore. Për më tepër ndarja e këtyre mjete duket se nuk është pjesë e ndonjë skeme të ndihmës për NP ose ngjashëm – gjë që e kualifikon më shumë si një ndihmë ad hoc.
Vendimi për të mbështetur ndërmarrjen në vështirësi Trepça është i kundërligjshëm pasi ka shmangur procedurën ligjore (sipas nenit 11 (1) të Ligjit për Ndihmën Shtetërore) dhe nuk është njoftuar te autoritetet e mandatuara për të konstatuar përputhshmërinë me ligjin (Departamentin e Ndihmës Shtetërore – DNSH në MF dhe Komisionin e Ndihmës Shtetërore) dhe për ta autorizuar atë – para se të vëhet në zbatim. Për më tepër, Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, është në dijeni të detyrimeve të saj në bazë të Ligjit. Mbi këtë bazë Komisioni i Ndihmës Shtetërore, nën dyshimin për dhënien e ndihmës së kundërligjshme, bazuar në nenin 16 (2) të Ligjit për Ndihmë Shtetërore (05/L-100) i kërkon dhënësit të kësaj ndihme (MEA) të paraqesë të gjitha të dhënat për ndihmën në fjalë, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve pune, nga dita e pranimit të kërkesës. Procedura që do të ndiqet është e krijuar, ndër të tjera, për të vërtetuar faktet dhe se vendimi përfundimtar i KNSH, në lidhje me këtë masë të ndihmës, nuk mund të paragjykohet.
Komisioni dëshiron të bëjë të qartë se është në mandatin e tij të kontrollojë ndihmën shtetërore në Republikën e Kosovës me qëllim që ajo të jepet konform Ligjit të Ndihmës Shtetërore, duke siguruar që parimet bazë janë duke u respektuar dhe ndihma e dhënë të arrijë rezultatet e pritura në ekonomi. Ndihma shtetërore për NP-të, por edhe ajo për sektorin privat, është subjekt i shqyrtimit dhe autorizimit nga ana e KNSH (para se të vihet në zbatim) me përjashtim, kur Ligji e përcakton ndryshe. Komisioni i Ndihmës Shtetërore nuk është kundër ndihmës që ndanë shteti për të ndihmuar ekonominë tash, por edhe në kushte normale (para pandemisë), gjithmonë duke siguruar që ndihma e ndarë është mirë e justifikuar dhe me objektivë të qartë për të arritur një rezultat ekonomik, është proporcionale dhe e kufizuar në kohë.”