Ata që shkojnë rregullisht në punë kanë më shumë mundësi të infektohen nga koronavirusi se sa ata që punojnë nga shtëpia.
Këtë e sjell në vëmendje Centers of Disease Control and Prevention (Cdc – Qendrat Amerikane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve) për të nxitur punën në distancë. Në një studim të ri, të publikuar në Morbidity and Mortality Weekly Report (MMWR) tregohet se rreziku i infektimit për ata që punojnë në zyrë është madje dyfish më i lartë se sa ata që mund ta bëjnë punën nga shtëpia.
Për të arritur në këtë përfundim, ekspertët analizuan ekspozimin e mundshëm të punonjësve ndaj koronavirusit, duke intervistuar 314 amerikanë që kanë bërë tamponin në muajin korrik. Prej këtu, studiuesit krahasuan intervistat e personave të rezultuar pozitivë (153 punonjës) dhe negativë (161 persona). Analizat treguan se dy javë para tamponit, ata që rezultuan pozitivë kishin më shumë gjasa të thoshin se kishin shkuar rregullisht në zyrë. Studiuesit zbuluan se probabiliteti është dyfish më i madh për t’u infektuar tek ata që shkojnë çdo ditë në punë krahasuar me ata që shkojnë ndonjë ditë në javë ose punojnë me kohë të plotë nga shtëpia.
Megjithëse ka kufizime në studim, siç janë ndryshimet e mundshme midis njerëzve të gatshëm të marrin pjesë në sondazh dhe atyre që refuzuan, ose marzhi i gabimit të tamponëve, ekspertët shpjegojnë se këto rezultate japin prova të efekteve të dobishme te shëndeti të punës nga shtëpia. “Sipërmarrjet dhe punëdhënësit duhet të promovojnë mundësi alternative, të tilla si puna nga shtëpia, për të zvogëluar rrezikun e infektimit – lexohet në raport. – Lejimi dhe nxitja e opsionit për të punuar nga shtëpia është një mjet i rëndësishëm për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19”.
Kur puna në distancë nuk është e mundur, ekspertët këshillojnë se duhen përforcuar masat e sigurisë për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve dhe reduktimin e rrezikut për t’u infektuar në vendin e punës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar një udhëzues se si duhet të veprojmë në vendin e punës për të mbrojtur shëndetin e punonjësve. Lani shpesh duart me ujë dhe sapun apo me xhel dezinfektues, pastroni dhe dezinfektoni rregullisht sipërfaqen e tryezës së punës, ekranit të telefonit apo tastierën e kompjuterit, respektoni distancën e sigurisë dhe mbani maskë kur nuk është e mundur të ruhet distanca.
Burimi: Wired