Vaksinat kundër gripit sezonal ende nuk kanë arritur në Kosovë. Sipas Zyrës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, pritet që vaksinat të arrijnë në Kosovë kah mesi i muajit nëntor.
“Këtë vit kemi paraparë t’i vaksinojmë rreth 500 mijë njerëz kundër gripit sezonal. Rreth 160,500 dozat e para i presim në mesin e muajit nëntor. Ky është njoftimi i fundit që ne si ministri e kemi marrë nga zyra e UNICEF-it [Fondacion i Kombeve të Bashkuara], prej nga edhe do t’i blejmë vaksinat’’, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Zyra e Informimit e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga Ministria e Shëndetësisë, më herët, kanë deklaruar për REL-in se muaji tetor do të ishte më optimal sa i përket vaksinimit kundër gripit sezonal, por që kjo nuk varet nga Ministria e Shëndetësisë.
Po ashtu është thënë se vaksinat do të arrijnë në Kosovë në fund të muajit tetor, derisa vaksinimi do të fillojë në muajin nëntor.
Vaksina kundër gripit sezonal i mbron njerëzit për një sezon dhe është kombinim i disa viruseve që janë në qarkullim.
Për vaksinat që i ka blerë Ministria e Shëndetësisë nga UNICEF-i ka paguar 5.27 euro për një copë.
Ministria ka hapur tender për dozat, por ofertuesit në Kosovë, çmimin e kanë caktuar 12 euro për vaksinë, thanë nga Zyra për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë.
Andaj, kjo edhe ka qenë arsyeja e anulimit të tenderit, meqë çmimi ka qenë dyfish më i lartë se në tregun ndërkombëtar, çka edhe ka shkaktuar vonesa në arritjen e vaksinave te qytetarët.
Vitin e kaluar, në Kosovë janë vaksinuar rreth 100 mijë njerëz – aq sa ka qenë numri i dozave të vaksinave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë. Shpërndarja e tyre kishte filluar në muajin dhjetor.
Këtë vit është menduar të shumëfishohet numri i vaksinimit, për shkak të pandemisë COVID-19.
Kategoritë që duhet të vaksinohen në periudhën e gripave, janë të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, si dhe personat me sëmundje kronike.