Për shkak të pandemisë COVID-19, shitja e automjeteve në Kosovë ka pësuar rënie.
Pronarë nga Autosallone të ndryshme në Kosovë janë ankuar se këtë vit shitja e veturave është ulur dukshëm.
Valdet Kaçandolli, nga ‘Autosalloni Kaçandolli’ ka thënë për gazetën Infokus se në këtë sallon qytetarët nuk kanë blerë vetura njëjtë si në vitet paraprake.
“Këtë vit kemi bërë më pak shitje, situata me pandeminë ka ndikuar edhe te ne, nëse e krahasojmë me vitin që shkoj kemi rënie 25 për qind ose më shumë”, ka thënë ai.
Ndërsa te ‘Autosalloni Kosova’ pandemia ka lënë gjurmë edhe më të mëdha.
Pronari i këtij salloni, Agron Ademi, tha se kanë pësuar rënie deri në 60 për qind.
“Shumë ka ndikuar pandemia në punë, e ka ulë shumë punën tonë. Kemi pasur rënie në 60 për qind, derisa vitin e kaluar i kemi shitur 140 vetura këtë vit deri tani vetëm 30”, u shpreh Ademi.
E veturat më të kërkuara sipas Ademit janë ato me çmime më të ulëta.
“Këtë vit janë shitur më shumë veturat të cilat e kanë çmimin më të ulët”, tha ai.
Se gjendja e krijuar nga koronavirusi ka ndikuar në uljen e shitjes së automjeteve ka thënë edhe Nënkryetari i Shoqatës së automjeteve të përdorura të Kosovës.
Fevzi Caca nga kjo shoqatë, njëkohësisht pronar i ‘Autosallonit Prishtina’, ka thënë se puna në biznesin e tij këtë kohë ka rënë.
“Është ulur puna prej 20 deri në 30 për qind, kjo ka ardhur për shkak të koronavirusit, pasi në vitin e kaluar kemi pasur më shumë punë”, deklaroi Caca.
Pavarësisht rënies së interesimit nga qytetarët për të blerë vetura importi nuk pësoi rënie.
Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, numri i veturave të importuara është afërsisht i ngjashëm me vitin paraprak.
Vitin që shkoi, Kosova ka importuar 20,168,00 vetura.
Ndërsa 10 muajt e parë të këtij viti janë importuar 16,804,00 vetura.
Edhe sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve, tregu i automjeteve të Bashkimit Evropian (BE) ka shënuar një rënie prej 24,5 për qind në periudhën janar-shtator të vitit 2020.
ACEA ka njoftuar se nga janari deri në shtator secili nga 27 vendet anëtare të BE-së shënoi rënie dyshifrore, përfshirë katër ato kryesoret, Spanja (-33 për qind), Italia (-21,7 për qind), Franca (-21 për qind) dhe Gjermania (-21,4 për qind).









