Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Arsim Janova e ka arsyetuar lejen 40-vjeçare që i është lëshuar kompanisë KELKOS me kushtin që ta ripërtërijë lejen mjedisore në kohëzgjatje brenda pesë viteve.
Janova ka thënë para deputetëve anëtarë të Komisionit hetimor parlamentar mbi lincensimin e hidrocentraleve se kanë pasur të drejtë t’ia japin kësaj kompanie një leje të tillë, pasi ministria e Ambientit ka sjellë leje mjedisore për këtë, raporton Gazeta Express.
“ZRRE-ja ka lëshuar leje tu marrë parasysh që licensa që ka qenë njëvjeçare ka skaduar në 13 tetor të këtij viti dhe ne me të 14 e kemi ndërpre operimin e këtyere hidrocentrale… Leja mjedisore është sjellë nga ministria, kështu që ne kemi qenë të detyruar me ligj ta vazhdojmë procesin, që ka qenë kusht i vetëm”, ka thënë Janova.
Me tri vota për dhe një kundër, ky propozim i ZRRE-së ka kaluar para disa ditësh duke i dhënë lejen kompanisë KELKOS që të prodhojë rrymë me hidrocentralet Belaja dhe Deçani.