Kryeministri i Kosovës, Avdullah hoti, sot ka njoftuar për masat e reja anti-Covid. Hoti ka bërë të ditur se arsimi i lartë do të kalojë në versionin “online“.
Hoti tha se për arsimin parauniversitar vlejnë protokollet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
“Kemi vendosur që arsimi i lartë të kalojë plotësisht në atë online ndërsa për atë parauniversitar vazhdojnë të vlejnë protokollet nga MASH dhe Instituti Publik. Vendimet për shkolla merren veç e veç nga komunat për secilën shkollë”, tha ia.
Ndërkohë, Hoti sot ka njoftuar se masat e reja anti-COVID do të hyjnë në fuqi nga dita e premte e kësaj jave.
Në komunat me rrezik të lartë, apo në zonë të kuqe Hoti ka bërë të ditur se do të ndalohen aktivitetet ekonomike pas orës 19:00.
“Në zonë të kuqe janë shtatë komuna, Prishtina, Podujeva, Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Shtimja. I kemi marrë dy veprime, e lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00 me specifikat e manualit për mbrojtje nga koronavirusi. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik vendoset kufizim i plotë i qytetarëve, orë policore nga ora 19 në këto komuna. Ndalohen hyrje-daljet në këto komuna nga ora 19:00”, ka deklaruar Hoti.
Hoti tha se masat do të hyjnë në fuqi nga kjo e premte.
“Kjo është zgjidhja më e mirë që kemi mundur të bëjmë, duke pasur parasysh interesat që ka ekonomia, por duke vendosur në rend të parë shëndetin publik. Masat do t’i dërgojmë për votim menjëherë pas kësaj konference. Masat hyjnë në fuqi të premten në orën 19:00, kur fillon mbyllja e komunave në zonë të kuqe. Gjatë ditës kemi lejuar aktivitetin ekonomik me masa strikte”, ka deklaruar Hoti.