Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Hoti ka thënë se BQK do t’i mbështesë politikat e Qeverisë dhe do të punojë me parimin e ekonomisë së lirë.
Sipas tij, sektori bankar në pandemi ka qenë stabil, duke shtuar se në shkurt të vitit 2020 bankat ishin stabile.
Mehmeti ka thënë se ekonomia pritet të shënojë një rënie në 7.2 % shkaku i masave të pandemisë.
“Në fillim të pandemisë është aktivizuar ekipi i vazhdimësisë për të siguruar funksionalitet të plotë në të gjitha bankat. BQK që në fillim të masave kufizuese ka treguar aktivitet të lartë që të ndihmojë agjentët ekonomik për përballim të kësaj situate. Ne kemi qenë në komunikim të rregullt me institucione ndërkombëtare dhe të gjitha aktivitetet i kemi në koordinim me këto. Banka Qendrore Evropiane ka aprovuar kërkesën e Bankës Qendrore për të vendosur një linjë të financimit në vlerë 100 milionë euro, e vlefshme deri në qershor 2021 e cila mundëson të huazojë likuiditet për institucionet financiare për shkak të mosfunksionimit së tregjeve”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se BQK-ja ka ndihmuar me të gjitha kapacitetet e saj profesionale Qeverinë në përpilimin e një pakoje ekonomike dhe mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë ekonominë e vendit.
Ai ka thënë se sektori bankar vazhdon të mbetet stabil, likuid dhe mirë i kapitalizuar.
“Raporti i likuiditetit shënon 37.7 % që është mbi minimum 25 %, kreditë e përformuesit 2.7 % dhe mbulueshmëria e tyre me provizione është 138.2 %. Kreditë në muajin gusht 2020 shënojnë 3.02 miliardë euro duke shënu trend të rritjes edhe këtij viti me një rritje 7.6 %. Vlera e kredive të reja të lëshuara në periudhën janar-gusht 2020 është 912.5 milionë euro që është rënie prej 5 %. Megjithatë gjatë korrikut dhe gushtit kemi të dhëna premtuese, kreditë e reja shënojnë rritje mbi 320.7 milionë euro ndërsa vitin e kaluar për periudhën e kaluar ishin 260 milionë euro, pra kishte rritje vjetore 23 %”, ka thënë ai, raporton KOHA.