Është bërë e ditur se mërgimtarët nga Zvicra prijnë për nga numri i ardhjeve në Kosovë këtë vit, për dallim nga shtetet e tjera nga bota, me theks të veçantë nga Evropa, shkruan albinfo.ch.
Sipas të dhënave nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve, në periudhën janar-gusht 2020 numri i vizitorëve nga jashtë në Kosovë ishte rreth 62.5% më i ulët se në vitin 2019.
Dëmi i shkaktuar në të hyrat e ekonomisë së Kosovës nga mosardhja e diasporës pritet të jetë nga 205 deri në 291 milionë euro në vitin 2020, shkruan tutje albinfo.ch.
Si në vitin 2019, ashtu edhe në vitin 2020, mërgimtarët nga Zvicra janë në krye të listës për nga numri më i lartë i ardhjeve në Kosovë.
Referuar statistikave, gjatë vitit 2019 nga Zvicra në Kosovë kanë ardhur 595,456 mërgimtarë, ndërkohë që këtë vit nga periudha janar-gusht 2020 është përgjysmuar në 239,308 ardhje.
Ndërkohë, Gjermania zë vendin e dytë, ku në vitin 2019 kishin ardhur rreth 529,362 gjithsej, kurse në vitin 2020 numri i tyre është 236,876.
Vendi i tretë për nga ardhjet i takon Turqisë, pastaj Austrisë dhe Britanisë.
Referuar statistikave të dhëna për Albinfo.ch, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës thuhet se nga data 01 janar e deri 31 tetor 2020 kanë udhëtuar 906,024 udhëtarë gjithsej, përdallim nga periudha e njëjtë e viti të kaluar janar-tetor 2019 që ishte 2,028,870 udhëtarë, shkruan tutje albinfo.ch.