Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, u ka bërë kërkesë autoriteteve italiane që të mbështesin hetimet për vjedhjen e mbi dy milionëve eurove në Thesarin e Shtetit.
“Pas vjedhjes në Thesar, në cilësinë e ministres së Financave i kam dërguar letër ambasadorit italian, që në fusha të bashkëpunimit të përfshihet edhe Thesari, me theks auditimi në Thesar, por edhe ngritja e nivelit të sigurisë dhe integritetit të sistemit. Njëherit kam kërkuar nga ambasadori i BE-së, z.Tomas Szunyog, edhe mbështetjen financiare nga BE që Guardia di Finanza të auditojë Thesarin”, ka shkruar Bajrami në rrjetin “Facebook” të dielën.
Ndërsa e nis postimin me fjalët: “Kundër hajnave edhe me Guardia di Finanzia”, ajo është zotuar se autorët do të ndiqen deri në fund. “E kam thënë edhe një herë, e përsëris edhe sot, se lufta kundër hajnave do të vazhdojë me krejt kapacitetet e mundshme vendore e ndërkombëtare, pavarësisht lidhjeve të atyre që kryejnë krime, do të ndiqen deri në fund”.
Ministrja e Financave ka sqaruar idenë e angazhimit të Guardia di Finanza. Ka shkruar se më 6 tetor 2020, ky institucion bashkë me ambasadorin italian, Nicola Orlando, kanë vizituar Ministrinë e Financave. “Kemi zhvilluar takim pune, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ATK-së, Doganave dhe të Njësisë së Inteligjencës Financiare. Në këtë takim kemi biseduar për një projekt të mundshëm në mes Guardia di Finanza, ATK-së, Doganës dhe NJIF, projekt ky që do të financohej nga BE.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është luftimin e evazionit, informalitetit, kontrabandës, pastrimit të parave dhe aktiviteteve tjera të kundërligjshme që dëmtojnë financat publike. Në atë takim jemi pajtuar që institucionet tona të identifikojnë fushat ku dëshirojnë bashkëpunim, gjë të cilën e kanë bërë me kohë”, ka thënë Bajrami .
Kërkesa e Bajramit ka zgjuar reagimin e deputetes nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu. A jo e ka pyetur ministren se kush do ta paguajë Guardia di Finanzia për punën që do të duhej ta kryente vetë Ministria e Financave.
“Sa kushton kjo ftesë e juaja znj. ministre? Kush i paguan ata zotërinjtë e Guardia di Finanza? Me para të këtij populli po paguheni ju dhe po me para të popullit ju thërrisni italianët për ta kryer punën tuaj!!! A hiç s´po ju vjen marre a?”, ka shkruar Musliu.
Guardia di Finanza është agjencia italiane e zbatimit të ligjit, përgjegjëse për trajtimin e krimit financiar dhe të kontrabandës. Vjedhja në Thesarin e Shtetit ka ndodhur më 9 tetor të këtij viti. Një zyrtar që ka punuar 11 vjet në këtë institucion dyshohet se ka transferuar afro 2.1 milionë euro në llogari të një operatori ekonomik.