Moderna Inc ka njoftuar se vaksina e saj eksperimentale është 94.5 për qind efikase në parandalimin e COVID-19 bazuar në të dhënat fillestare nga testimet e fazës së vonshme klinike, duke u bërë kompania e dytë amerikane brenda një jave që raporton rezultate që i tejkalojnë pritjet, shkruan agjencia Reuters.
Së bashku me vaksinën e Pfizer/BioNTech, që ka treguar po ashtu më tepër se 90 për qind efikasitet, SHBA-ja mund të ketë dy vaksina të autorizuara për përdorim emergjent në dhjetor, ku deri në 60 milionë doza mund të jenë në dispozicion deri në fund të vitit.
Vitin e ardhshme, Qeveria e SHBA-së mund të ketë qasje në më tepër se 1 miliard doza vetëm nga dy prodhuesit e vaksinave, që janë më tepër se që i duhen shtetit me 330 milionë banorë.
Vaksinat, e ndërtuara duke përdorur teknologjinë e re të njohur si RNA dhe mRNA, përfaqësojnë një pajisje të fortë për të luftuar pandeminë që ka infektuar mbi 54 milionë persona nëpër botë dhe i ka shkaktuar vdekjen e 1.3 milionë.
“Ne do të kemi një vaksinë që do ta ndalojë COVID-19”, ka thënë presidenti i Modernas, Stephen Hoge.
Analizat fillestare të Modernas janë bazuar në 95 infektime në mesin e pjesëmarrësve që kanë marrë placebo apo vaksinë. Nga ta, vetëm pesë infeksione kanë ndodhur te personat që kanë marrë vaksinën, që është administruar dy ditë ndaras nga njëra-tjetra.
Një përparësi e vaksinës së Modernas është se nuk ka nevojë për një ftohës të fuqishëm si Pfizeri, duke e bërë më të lehtë të shpërndahet. Moderna pret që vaksina të jetë stabile edhe në frigorifer standard me temperatura 2 deri 8 gradë Celsius për 30 ditë dhe mund të rruhet për gjashtë muaj në frizë në temperatura minus 20 gradë Celsius.
Vaksina e Pfizerit duhet të rruhet në temperaturë minus 70 gradë Celsius.