Në kohë pandemie, rritet numri i bizneseve të regjistruara

Pandemia duket se po i shtyn kosovarët drejt gjetjes së mundësive të reja për biznes.

Bazuar në të dhënat zyrtare vërehet se ka rritje të numrit të bizneseve të regjistruara sivjet krahasuar me periudhën e vitit të të kaluar. Kështu, vetëm në tremujorin e tretë të 2020-tës në Kosovë janë regjistruar gjithsej 2593 ndërmarrje të reja.

Kjo ka shënuar një rritje prej 8.9 për qind në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

Reklama e sponzorizuar

“Në tremujorin e tretë të vitit 2020 gjithsej janë regjistruar 2 593 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2019) ka rritje për 8.9% të ndërmarrjeve të regjistruara” thuhet në raportin e ASK-së, me të dhënat mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e tretë (TM3) 2020-tës.

Numri më i madh i ndërmarrjeve ekonomike të regjistruara në këtë tremujor ishte nga tregtia me shumicë dhe pakicë me gjithsej 597 ndërmarrje e që përbënin 23.2 për qind. Pas tregtisë, vijnë ato të prodhimit, ku vetëm në këtë periudhë ishin regjistruar 302 ndërmarrje të tilla. /Buletini Ekonomik/