Në veri të Kosovës nuk po zbatohen masat e Qeverisë për parandalimin e COVID-19

Pas vendimit të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, për masat e reja për parandalimin dhe luftimin e virusit COVID-19, në pjesën veriore të Kosovës janë duke u përfilluar këto masa. Kundër masave të reja ka dalë edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës në jug, Agim Bahtiri

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Valdete Idrizi, ka thënë se qeveria sërish po i mbyllë sytë kur është fjala për pjesën veriore të Mitrovicës.

Idrizi tha se vendimet e qeverisë në veri të Mitrovicës nuk janë duke u përfilluar, e në këtë rast kjo e fundit heshtë.

Reklama e sponzorizuar

“Qeveria prap i mbyllë sytë kur është fjala për pjesën veriore të Mitrovicës. Përkundër masave ani covid që qeveria mbrëmë si shpejt e shpejt i propozoi e miratoi, në veri ato nuk përfillen, e qeveria heshtë, thuajse s’ka virus andej ure. Apo, si me qenë në ndonjë shtet tjetër. Ndoshta nuk ka arritë t’i përkthej vendimet e qeverisë e ata s’po kuptojnë, ku me ditë??”, ka shkruar Idrizi në rrjetin e saj social në Facebook.

Idrizi po ashtu u shpreh se këto masa të cilat u vendosën nga qeveria janë të pakuptimta.

“S’po komentoj më shumë për këto masa me të vërtetë të pakuptimta, por a nuk ish dashtë të zbatohej vendimi  në tërë Republikën e Kosovës? Njerëz, miq, duhet të ruajmë veten dhe të tjerët duke e ruajtë distancën fizike me të tjerët, higjienën dhe maskën, se përndryshe vështirë me i përballu kështu masat, të cilat po i dëmtojnë edhe më shumë bizneset, edhe ashtu më të dëmtuarat nga masat anti-COVID”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri përmes rrjetit të tij social në Facebook ka thënë se është kundër masave të reja, të cilat sipas tij janë jo adekuate, pa vizion dhe nuk do të prodhojnë efekte të duhura.

“Masat e djeshme të Qeverisë së Kosovës për izolimin e vendit gjatë vikendit janë masa jo adekuate, pa vizion dhe për pasojë nuk do të prodhojnë efekte të duhura për mbrojtje nga COVID-19. Këto masa të marra pa planifikim të duhur, e që u tha se duhet të zbatohen 3 orë pasi janë marrë, tregojnë se Qeverisë së Kosovës i ka humbur rruga në parandalimin e përhapjes së COVID-19, infektimet nga i cili po rriten si pasojë e pa aftësisë së kësaj qeverie për ta menaxhuar situatën. Zaten duhet me qenë shumë optimist për të pasur pritje më të mëdha nga një qeveri jolegjitime, për të cilën nuk ka votuar populli”, ka thënë ai.

Bahtiri po ashtu potencoi se masat e nxjerra nga Qeveria e Kosovës do duhet të zbatoheshin edhe në komunat veriore të Kosovës.

“Sidoqoftë, nëse kjo Qeveri beson se vendimi për izolim të vendit ka sukses, atëherë pse nuk po e zbaton vendimin edhe në komunat veriore të Kosovës, ku subjektet afariste atje po e vazhdojnë sot veprimtarinë e tyre normalisht dhe mund të jetë burim potencial i potencial i përhapjes së COVID-19. Me mos-veprim për shtrirje të autoritetit shtetëror edhe në pjesën veriore të Kosovës, Qeveria faktikisht në mënyrë indirekte po jep sinjale si nuk i intereson sovraniteti i Republikës së Kosovës”, ka thënë kryetari  Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. 

https://www.facebook.com/valdete.idrizi.7/posts/3766963776668726