Britania e Madhe do ta ndalojë shitjen e veturave të reja me naftë dhe benzinë nga viti 2030, pesë vjet më herët sesa që ishte planifikuar më parë, si pjesë e asaj që kryeministri Boris Johnson e ka përshkruar si “revolucion i gjelbër” për zvogëlimin e gazrave të karbonit deri në zero në vitin 2050.
Shefi i qeverisë britanike, që po përballet me krizën më vdekjeprurëse të pandemisë së koronavirusit në Evropë, negociatat e Brexit-it dhe largimin e këshilltarit më të lartë, dëshiron që t’i vë në pah përpjekjet e tij për mbrojtje të mjedisit si pjesë e asaj që ai shpreson se do të jetë rifillim për qeverinë e tij.
“Tani është koha që të bëhen plane për një rimëkëmbje të gjelbër me vende pune që ua japin njerëzve kënaqësinë e të diturit se janë duke ofruar ndihmë për ta bërë vendin më të pastër, më të gjelbër dhe më të bukur”, tha kryeministri Johnson në një shkrim të publikuar të martën në gazetën “Financial Times”.
Britania vitin e kaluar u bë shteti i parë i Grupit G7 që me ligj e caktoi si synim që në vitin 2050, sasia e gazrave të karbonit që lirohen në atmosferë të jetë zero. Ky qëllim do të kërkojë ndryshime të gjera në mënyrën se si britanikët udhëtojnë, hanë dhe si e përdorin energjinë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Në përgjithësi, përmes këtij plani kërkohet ndarja e 12 miliardë funteve nga mjetet qeveritare, që është shifër tri herë më e lartë se të ardhurat nga sektori privat. Me plan synohet edhe krijimi dhe përkrahja e 250.000 vendeve “të gjelbra” të punës deri në vitin 2030, bëri të ditur kryeministri Johnson.
Përpos ndalimit të shitjes së veturave me naftë dhe benzinë nga viti 2030, Britania është zotuar se do ta ndalojë edhe shitjen e veturave hibride, që shfrytëzojnë karburante dhe rrymë njëkohësisht, pesë vjet më vonë, pra nga viti 2035.