Dyshimi për abuzimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Pushtetit Lokal gjatë procesit të matjes së përformancës së komunave, ka bërë që të vihet në pikëpyetje shpërndarja e një granti me vlerë 5.2 milionë euro.
Për mungesë transparence në procesin e vlerësimit ka alarmuar Asociacioni i Komunave të Kosovës, ndërsa pakënaqësi për raportin e performancës kanë shprehur edhe kryetarë të komunave të ranguara lart në vlerësim, raporton KOHA.
Komuna e Hanit të Elezit është listuar e dyta, dhe kryetari i saj, Rufki Suma, ka thënë se do ta refuzojë shpërblimin.
“Përveç të tjerash, vërejtja jonë ka qenë tek indikatorët e performancës, për të cilët kanë vërejtje edhe komunat e tjera. E vërejtja jonë më e madhe ka qenë se ne jemi shpallur të dytët, ndërsa shpërblimin për vendin e dytë nuk na e kanë qit. Ju kam thanë hiç mos na e lëshoni”, ka thënë Refki Suma, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit.
Akuza e kundërakuza për Raportin e transparencës, janë parë pas një deklarate të lëshuar në përmbyllje të Kuvendit vjetor të Asociacionit.
Kjo ka bërë që njeriu kyç që e ka hartuar raportin të reagojë në Facebook.
“Në momentin kur i kap zori disa kryetarë (shkelës të ligjeve) për zgjedhjet e ardhshme, instrumentalizojnë formacione, siç është Asociacioni i Komunave, duke përhap deklarata të pavërteta për ta dëmtu imazhin e Grantit të Përformancës Komunale”, ka shkruar Diellor Gashi, drejtor i Departamentit për performancë dhe transparencë komunale.
KOHA e ka pyetur Gashin nëse e kishte fjalën për Imri Ahmetin, kryetar i Komunës së Lipjanit, i cili është edhe kryetar i Asociacionit. Ai nuk është përgjigjur. E në një koment publik, ka aluduar në të, kur ka shkruar: “‘Shkon Imrija, vjen Fazlija’, kjo është fatkeqësia më e madhe”.
Asociacioni i Komunave ka kërkuar masa për të gjithë akterët që kanë ndikuar në përmbajtjen e raportit, dokument që ka nxitur kritika të mëdha, pas të cilave ministri Goran Rakiq ka njoftuar tri ambasada për shkëputjen e marrëveshjes për grantin e performancës komunale. Në letër, të cilën e ka siguruar KOHA, ministri, ndër të tjera, përmend si arsye faktin se nga të gjitha komunat, përfshirë ato që kanë përfituar, “kontestohet transparenca e procedurave të ndjekura për ndarjen e këtij granti”.
Megjithëkëtë, kryetarë sikur ai i Rahovecit kërkojnë që shpërblimi të mos iu ndalet.
“Unë e di që është diskutuar gjatë kjo çështje dhe mendoj se as ministri Rakiq nuk ka të drejtë dhe askush të bëjë përpjekje dhe të shfaqë tendenca për ta tërheqë grantin”, ka deklaruar Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit.
Asociacioni i Komunave ka kërkuar edhe nga kryeministri Avdullah Hoti, që të kërkojë përgjegjësi ndaj zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Pushtetit Lokal që kanë akuzuar kryetarët e komunave, por në Qeveri nuk kanë treguar nëse është marrë ndonjë masë.
Burime në ekzekutiv thonë se, shkaku i kësaj, sekretarja e përhershme e ministrisë, Rozafa Ukimeraj, do të transferohet në një dikaster tjetër. KOHA ka telefonuar në zyrën e saj, por nuk ka marrë përgjigje. Ka dy javë nuk ka kthyer përgjigje as Ministria e Pushtetit Lokal.