Një ampulë Remdesivir shitet pesëfish më shtrenjtë nga çmimi i furnizimit

Deri në dy mijë euro po detyrohen që të paguajnë pacientët me COVID-19, të cilëve u përshkruhet ampula Remdesivir.

Ky produkt përdoret për pacientët me COVID-19, me gjendje të rënduar.

Ato nuk po arrin t’i sigurojë Ministria e Shëndetësisë, ndonëse Ligji anti-COVID parasheh që kjo ministri ta bëjë furnizimin.

Reklama e sponzorizuar

KOHA ka marrë informata për çmimet e këtyre ampulave në disa barnatore të Prishtinës. Çmimet lëvizin nga 160 deri në 200 euro për ampulë. Një dokument i Doganës së Kosovës, që e ka siguruar KOHA, tregon se ampulat Remdesivir kanë hyrë në Kosovë me çmimin prej 45 eurosh për një copë.

Nëpër barnatore nuk kanë pranuar të flasin para kamerës për këtë ilaç.

Familjarë të pacientëve i kanë thënë KOHËS se mjekët po ua përshkruajnë nga 6 deri në 10 ampula të këtij ilaçi.

Bazuar në dokumentin e Doganës, një ampulë e ilaçit Remdesivir që prodhohet në Indi ka çmimin pesëfish më të ulët se ai që shitet në Kosovë.

Pakoja prej 100 ampulave kur është futur në Doganë është deklaruar me çmimin prej 4.594 eurosh, që i bie 45.94 euro për një të tillë. Çmimi me të cilin India e ka hedhur në tregun global këtë bar është 31 euro.

Në listën e Doganës është edhe ilaçi Pandovir me origjinë nga Bangladeshi. Çmimi me të cilin ky shtet e ka hedhur në treg global është 44 euro për ampulë, por në dokumentin e Doganës nuk është specifikuar numri i ampulave në pako, që e bën të pamundur kalkulimin.

Infektologu Salih Ahmeti në “Deskun” e KOHËS ka thënë javën e kaluar se Ministrisë i është kërkuar ta sigurojë këtë ilaç.

“Ne nuk e kemi ne dispozicion ende nga Ministria e Shëndetësisë, edhe pse kemi premtime. Ne e kemi ngritur këtë si çështje, si nevojë për pacientët dhe po presim të jetë edhe ky bar i rimbursueshëm. Deri më tash është siguruar nga pacientët në rrugë private, është bar i kushtueshëm, bar që e kanë shumë vende, por që vendet me buxhete të limituara, krahas problematikës për ta siguruar barin e kanë edhe problematikën financiare”, ka thënë Ahmeti

Në Ministrinë e Shëndetësisë ende nuk kanë kthyer përgjigje pse nuk kanë siguruar furnizim dhe nëse janë duke monitoruar shitjen e këtij produkti nga barnatoret private.

Remdesivir është ilaçi i parë që Shoqata Evropiane e Barnave e rekomandoi për përdorim të autorizuar në BE, në luftën kundër koronavirusit.