Papunësia dhe varfëria janë dy nga problemet më të mëdha që qytetarët kosovarë janë duke u përballur në të njëjtën kohë kur janë duke u përballur edhe me rrezikun e infektimit nga pandemia Covid-19.
Kriza e shkaktuar nga kjo pandemi, ka bërë që shumë punëtorë, jo vetëm në vend por edhe në tërë botën, të humbin vendet e tyre të punës e shumë familje tjera të detyrohen të regjistrohen edhe si raste sociale.
Megjithëse, ende në pozitë të keqe tani, Kosova vitin e kaluar ishte më keq sa i përket numrit të familjeve dhe anëtarëve të familjes që kishin përfituar ndihma sociale nga shteti.
Këtë vit, bazuar në gjendjen e muajit qershor 2020, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale ishte 24 mijë e 615 familje, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë në peridhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur pandemia ende nuk ekzistonte atëbotë, numri i familjeve që kishin përfituar nga kjo lloj ndihme ishte 24 mijë e 767. Numër ky, që muajve më pas deri në fundvit kishte shkuar duke rënë deri në shifrën e 24 mijë e 352 familjeve në dhjetor të 2019-s, që i bie se 415 familje ishin tërhequr nga marrja e ndihmës sociale. Rrjedhimisht, ndonjë prej anëtarëve të këtyre 415 familjeve ka gjetur një punë për ta mbajtur familjen.
Por, me fillimin e vitit 2020, numri i këtyre familjeve kishe filluar prap të rritet nga pandemia, sidmos në muajin prill dhe maj, kur Kosova ishte në pikun e pandemisë dhe familjet kishin filluar të hyjnë në krizë financiare shkaku i mbylljes së ekonomisë së vendit nga izolimi 3 mujor.
Në muajin prill, në Kosovë ishin regjistruar për ndihmë sociale 24 mijë e 697 familje, nga vetëm 24 mijë e 198 familje që ishin në muajin mars, kurse në muajin maj ky numër kishte shkuar në 24 mijë e 864, për t’u zbritur pak tek në muajin qershor kur kjo shifër kishte rënë për 249 familje, pra 24 mijë e 615 familje gjithsej në qershor.
E për numrin e familjeve të shtuara apo të tërhequra nga marrja e ndihmës sociale për tremujorin më të fundit të këtij viti (korrik-gusht-shtator), ende nuk janë publikuar statistikat nga ASK-ja.
Shuma mujore e ndihmës sociale e cila iu paguhet familjeve në varfëri ndryshon, varësisht nga numri i anëtarëve të familjeve.
Kështu familjet një anëtarëshe mund të marrin vetëm 50 euro si social në muaj, ato me dy anëtarë marrin 68 euro, me tre anëtarë 75 euro, kurse tek familjet me 7 anëtarë arrin shifra prej 100 eurove, duke vazhduar deri në shumën e 150 euro që mund ta përfitojnë vetëm familjet 15 anëtarëshe.
Bazuar në gjendjen e muajit qershor 2020, gjithomë duke iu referuar të dhënave nga ASK-ja, numri i anëtarëve te familjes që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale ishte 99 mijë e 712 anëtarë.
Një vit më parë, në peridhën e njëjtë, ky numër i anëtarëve të familjes ishte gati njëfish më i lartë se sa ky i këtij viti. Prej janarit deri në qershor të 2019-s numri i anëtarëve të familjeve që kishin përfituar ndihmë sociale ishte gati 200 mijë, përkatësisht 100 mijë e 995 anëtarë.
E komuna që po vazhdon vit pas viti të ketë më së shumti familje me raste sociale, është komuna e Mitrovicës, ku sivjet kishin përfituar gjithsej 2 mijë e 295 familje apo 9,3 % e numrit të përgjithshëm të familjeve në tërë Kosovën. Numër i përafërt ishte edhe vitin e kaluar, ku 2 mijë e 337 familje nga kjo komunë kishin marrë social, apo 9,5 % e numrit të përgjithshëm.
Në anën tjetër, të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë tek të vitit 2017. Këto të dhëna tregojnë se mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës, jetojnë në varfëri.
Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.
Pas pandemisë së koronavirusit, sipas parashikimeve edhe të Bankës Qendrore të Kosovë, ekonomia e vendit pritet të shënojë një rënie prej 7.2 për qind shkaku i masave të pandemisë.
“7.2 përqind parashihet rënia ekonomike sipas BKQ-së. Shkaktarë mbrapa rënies janë masat e ndërmarra për parandalimin e shpërndarjes së virusit të COVID-19. Një prej faktorëve që ka ndikuar në uljen e kërkesës agregate është rënia e vizitave nga diaspora”, kishte thënë ditë më parë guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti gjatë një konferencë për media.
Mehmeti po ashtu kishte përmendur faktin se dërgesat nga diaspora këtë vit kanë shënuar rritje.
“643 milionë janë në këtë vit, kurse në vitin e kaluar remitancat kanë qenë 608.6 milionë euro”, kishte shtuar ai.
Përveç Kosovës, Banka Botërore po ashtu ka raportuar muaj më parë për rritje të shkallës së varfërisë edhe në botë si pasojë e COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.
Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass kohë më parë kishte thënë se deri në 60 milionë persona në botë do të përballen me varfëri ekstreme si pasojë e koronavirusit.
“Vlerësimi ynë është që deri në 60 milionë persona do të shtyhen drejt varfërisë ekstreme – që shkatërron përparimin e bërë në zhdukjen e varfërisë në tre vjetët e fundit”, kishte paralajmëruar ai. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/