Paralajmërohet ndërprerje e shërbimeve nga Telekomi

Bllokimi i llogarive të Telekomit dhe tërheqja e mjeteve nga kompania “Z-Mobile”, i ka lënë pa paga për më shumë se 15 ditë punëtorët e Telekomit. Përveç pagave, rrezikohet edhe ofrimi i shërbimeve. KOHA merr vesh se ka filluar shkyqja e antenave për shkak të mospagesave të qirave.

Në kërkim të pagave dhe zhbllokimit të llogarive, rreth 3 mijë punëtorë të Telekomit, të hënën do të protestojnë para ndërtesës së Qeverisë, duke e fajësuar atë për gjendjen në këtë ndërmarrje. Ata kanë paralajmëruar edhe ndërprerje të shërbimeve, nëse nuk gjendet një zgjidhje.

“Fajtor kryesor është Qeveria, nëse këqyrim nga viti 2008 që menaxhohet nga. Qeveria atëherë krejt janë njerëz të politikës që janë në stafe menaxheriale dhe në stafe të drejtorëve dhe sigurisht Qeveria është fajtore dhe duhet t’ia hapim sytë Qeverisë për atë se çka ka ndodhur brenda Telekomit. Unë besoj fuqishëm që pa dijeninë e Qeverisë nuk është shkatërruar Telekomi”, ka thënë Lamih Balaj, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Telekomit.

Reklama e sponzorizuar

Burime të KOHËS brenda Qeverisë, bënë të ditur se tashmë është gjetur zgjidhje për çështjen e Telekomit, por që ka mbetur të vendoset nga ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, dhe kryeministri Avdullah Hoti, nëse do të vazhdohet me atë formë.

Siç mëson KOHA, fjala është për zgjidhje financiare me kushte. Telekomit do t’i kërkohet që ta ndërrojë teknologjinë për ta rritur fitimin në mënyrë që ta paguajë borxhin.

Krahas kësaj i është kërkuar që t’i ulë shpenzimet dhe të bëjë ristrukturim të stafit, në mënyrë që të dëshmojë se janë për reforma.

Nga Sindikata thonë se janë për ristrukturim ashtu siç e ka kërkuar, por assesi ulje të pagës.

“Në Telekom janë ulë pagat, me ristrukturim ulën shpenzimet, por këta si duket presin që të ulën pagat në vazhdimësi që njerëzit e tyre, të mos shuhen postet e tyre, të mos heqin drejtori dhe njerëzit e tyre që i kanë sjellë nga rruga me paga enorme, sepse ne kemi njerëz që marrin pagën më të madhe se inxhinieri dy herë, ose se tekniku, ndërsa nuk e kanë kryer as shkollën fillore, nuk din as shkrim as lexim. Kjo është e papranueshme në Telekom”, ka thënë Balaj.

Telekomit i janë bllokuar llogaritë më 26 tetor shkaku i borxhit mbi 27 milionësh që ka ndaj “Z-Mobile”, sipas vendimit të Arbitrazhit, e të njohur edhe nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit. Vendimi i Arbitrazhit ka ardhur pas mospajtimeve mes palëve kur “Z-Mobile” kishte kërkuar numeracione shtesë. Deri më tani, “Z-Mobile” ka tërhequr mbi 6 milionë euro nga llogaritë e Telekomit.