Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e koalicionit qeverisës, ka dalë kundër idesë për një rimbyllje të vendit si masë parandalimi për pandeminë e koronavirusit.
Në një konferencë për media Grupi Parlamentar i AAK-së i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shfrytëzojë të gjitha alternativat e mundshme para se të vendosë për mbyllje totale të vendit.
“Ne jemi kundër idesë që të kemi mbyllje totale të vendit dhe i bëjmë thirrje qeverisë të rishikojë masat për arsye se ne si Aleancë e përkrahim qëndrimin e përbashkët që e kemi marrë sot dhe deklarohemi që duhet të rishikohen këto masa që të kemi menaxhim më të përfilltë të situatës”, ka thënë deputeti Arbër Tolaj.
Në një konferencë për media, para seancës së Kuvendit ku pritet të votohet në shqyrtim të dytë për Ligjin për Rimëkëmbje, AAK-ja ka kërkuar votën e të gjithë deputetëve si moment i rëndësishëm “që të reflektojmë për situatën e përgjithshme ekonomike të qytetarëve të Kosovës”.
“Si AAK e kuptojmë shqetësimin në rritjen e numrit të rasteve, pra një përshkallëzim të situatës mirëpo konsiderojmë që institucionet përgjegjëse janë duke dhënë rekomandimet e tyre dhe ne si pjesë e politikës duhet të shfrytëzojmë të gjitha alternativat para se të shkojmë tek një përfundim për mbyllje totale të vendit. I bëjmë thirrje Qeverisë të shqyrtojë situatën dhe të shfrytëzojë të gjitha alternativat e mundshme duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore para se të shkohet te vendimi për mbyllje totale”, ka thënë në konferencë deputetja Albena Reshitaj.
Të martën, kryeministri Avdullah Hoti paralajmëroi mbylljen totale të vendit si masë të re parandalimi.
Sipas drafteve për vendimet e reja, Qeveria pritet të karantinojë disa komuna ku numri i rasteve të reja është i lartë. Aty pritet të ketë edhe pezullime të aktiviteteve ekonomike.