Rënie drastike e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës

Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës këtë vit, si luftë kundër përhapjes së pandemisë Covid-19, kanë ndikuar shumë edhe në rënien e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, megjithëse tani është duke u vërejtur një ringjallje e lehtë.

Në krahasim me vitin e kaluar, ky vit ka pasur një rënie drastike të numrit të fluturimeve, e gjithashtu edhe një rënie të lartë sa i përket numrit të udhëtarëve, që si destinacion udhëtimi kanë këtë aeroport, përcjell Buletini Ekonomik.

Në tremujorin e tretë të këtij viti, gjegjësisht në muajt: korrik-gusht-shtator, është parë një rritje e lehtë e numrit të fluturimeve dhe udhëtarëve, në krahasim me muajt kur Kosova dhe gjithë rajoni ishin të izoluar. Kjo rritje e numrit të fluturimeve kishte ardhur si pasojë e lehtësimit të masave shtrënguese ndaj pandemisë nga qeveritë rajonale e botërore, me mendimin se tashmë shtetet e kanë marrë nën kontroll pandeminë.

Reklama e sponzorizuar

Nga 2 mijë e 896 fluturime që ishin realizuar në tremujorin e tretë të 2019-s nga Aeroporti “Adem Jashari”, këtë vit në periudhën e njëjtë nuk ishin realizuar as sa gjysma e tyre. Numri final i fluturimeve në këtë tremujor të fundit ishte vetëm 1 mijë e 212, me një rënie prej 58% nga viti i kaluar.

Sipas statistikave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin e fundit me titull “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit -TM3 2020”, thuhet se numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti është rreth 275 mijë, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM3 2019) që ishte 783 mijë. Nga kjo del të kuptojmë se krahasimi mes dy periudhave manifestohet me 64.85 % ulje të numrit këtë vit.

Ndërkohë, vetëm në tremujorin e dytë të vitit 2020 (prill-maj-qershor), numri i fluturimeve nga Aeroporti “Adem Jashari” ishte vetëm 94, që në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2019) kishte pasur një ulje për 96%, si rezultat i masave kundër COVID-19. Përqindje kjo e fluturimeve për 23 herë më e ulët sesa fluturimet në vitin 2019.

Në të njëjtën periudhë, por atë të vitit 2019, numri i fluturimeve nga ky aeroport ishte 2 mijë e 173 (duke përfshirë fluturimet vajtje-ardhje).

Ndërkaq, tre muajt e parë të 2020-s nuk e kishin vërejtur në masë të madhe këtë rënie. Në tremujorin e parë (janar-shkurt-mars) prej aeroportit të Prishtinës ishin realizuar 1 mijë e 534 fluturime në krahasim me  1 mijë e 783 fluturime që ishin realizuar në të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Rënie rekorde është parë edhe tek numri i udhëtarëve përmes rrugëve ajrore. Vetëm 19 mijë persona është numri i udhëtarëve që kanë zgjedhur aeroplanin si mjet udhëtimi gjatë periudhës prill-maj-qershor të këtij viti. Kurse në vitin e kaluar, pra më 2019, në po të njëjtën periudhë, numri i udhëtarëve përmes këtij aeroporti ishte 583 mijë. Ndërsa tremujori i parë i këtij viti dhe tremujori i njëjtë i vitit 2019, kanë një shifër më të përafërt.  431 mijë udhëtarë kanë qenë në tre muajt e parë të këtij viti, në krahasim me 476 mijë nga viti i kaluar. Pra, duke u nisur nga krahasimet me vitin e kaluar vetëm për tremujorin e dytë të këtij viti dhe të atij paraprak, kemi ulje të numrit të udhëtarëve për 96.79%.

Ndryshe, pas më shumë se tre muajsh, Aeroporti i Prishtinës i është rikthyer punës dhe organizimit normal të fluturimeve për qytetarët, ndonëse në fillim me një ritëm më të ngadalësuar në krahasim me vitet e kaluara, e gjithashtu edhe me shumë masa mbrojtëse si luftë kundër përhapjes së mundshme të infektimeve mes udhëtarëve. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/