Sa i kushtoi Kosovës mosardhja e mërgimtarëve këtë vit?

Masat anti-COVID kufizuan ndjeshëm lëvizjen mes qytetarëve ndërmjet shteteve të ndryshme. Kjo është reflektuar edhe në vizitat e diasporës në Kosovë ku vihet re një rënie e ndjeshme.

Instituti GAP solli një analizë të sajën duke u bazuar në të dhënat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve për periudhën janar-gusht 2020. Sipas kësaj, analize për të njëjtën periudhë, numri i vizitorëve nga jashtë në Kosovë ishte rreth 62.5% më i ulët se në vitin 2019.

Analisti i politikave në Institutin GAP, Berat Thaçi, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se kjo përkthehet në rreth dy milionë vizita më pak nga jashtë, përcjell Albinfo.ch.

Reklama e sponzorizuar

“Në bazë të shifrave që i kemi mbledhur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kosovës dhe Byroja e Sigurimeve, do të thotë në bazë të shifrave për udhëtimet me mjete ajrore apo aeroplan dhe tokësorë që janë vetura dhe mjetet e tjera, krahasuar me vitin e kaluar për periudhën janar- gusht 2020, kemi një rënie të vizitave për 60 për qind nga jashtë. Nëse e përkthejmë këtë në numra, vetëm në Aeroportin e Prishtinës, vetëm në udhëtimet me aeroplan i kemi një milion më pak vizita. Nëse e shohim në total mendohet se janë realizuar afro dy milionë vizita më pak në nivel vendi”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka thënë se si pasojë e rënies së vizitave nga diaspora ka pasur rënie të mëdha edhe në ekonominë e Kosovës, ndërsa shton se dëmi i shkaktuar në të hyrat e ekonomisë së vendit është rreth 300 milionë euro.

“Në bazë të një kalkulimi që e kemi bërë në Institutin GAP, se vetëm nga rënia e vizitave, të hyrat në ekonominë e vendit kanë rënë për 300 milionë euro, dhe kjo ka natyrisht efekte negative, veçanërisht për disa sektorë të cilët janë më direkt të lidhur me vizitat e diasporës, mirëpo edhe për ekonominë në tërësi. Nëse flasim për sektorë specifikë, e dimë që gastronomia, hoteleria janë sektorët që direkt ndikohen nga mungesa e vizitave të diasporës, por edhe sektorët tjerë siç janë ai i transportit, se një pjesë e diasporës vjen me veturat e tyre dhe ata pastaj shpenzojnë në Kosovë në derivate”, thotë ai.

Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë periudha kur shqiptarët që jetojnë jashtë vendit zgjedhin të kthehen në vendlindje për të kaluar festat, por kjo nuk pritet njëjtë edhe këtë fundvit.

Thaçi thotë se përhapja e pandemisë COVID-19 dhe masat që kanë marrë vendet e tjera ku është e orientuar kryesisht diaspora jonë, do të jetë pengesë e madhe që bashkatdhetarët të kthehen në vendlindje.

“Kemi dy fenomene, e para është se virusi po përhapet ndjeshëm, qoftë në Kosovë, qoftë në Evropë dhe për këtë arsye kjo mund të jetë një faktor që mund t’i zmbrapsë ata nga vizitat e tyre, sepse është një trend në rritje i përhapjes së virusit, mirëpo në anën tjetër Kosova paksa i ka relaksuar politikat e hyrjes, krahasuar me periudhën e fillimit të vitit, kur ka qenë e ndaluar hyrja e shtetasve të huaj, tash më testin PCR ata mund të hyjnë në Kosovë, mirëpo duke pasur parasysh përhapjen e virusit ne mendojmë se kjo do të jetë pengesë”, ka thënë Thaçi.