Në kuadër të Javëve të Biznesit Kosovar 2020 me moto: “Unë konsumoj produkte vendore, Po Ju?”, Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka vizituar fabrikën “Extra Fruit Fillings”, në Prizren.
Kryetari i AKB-së ka thënë se kjo kompani ka thyer kufijtë me eksportin në një shtet që nuk e njeh Kosovën.
Shahini tutje ka thënë se aty ku nuk arrijnë të depërtojë politika depërtojë bizneset dhe ekonomia.
“Kjo kompani ka thyer kufijtë me eksportin në një shtet që se ka njohur Kosovën. Po e zhvillojmë këtë aktivitet kompania e vetmja e këtij lloji në Kosovë dhe e cila ka marr tregje jashtë vendit konkretisht në tregun rumun me mbi 20 milionë euro. Nëpërmjet brendit ‘Made in Kosova’, Rumania e njeh Republikën e Kosovës. Aty ku nuk depërton politika është ekonomia”.
“Ekonomia diplomatike e Kosovës është shumë e zbehtë për arsye se shumë njerëz në politike mendojnë se shteti është vetëm i tyre, por bizneset në shumë raste bëjnë më shumë se sa politikanët. Prandaj të gjitha bizneset që eksportojnë në vendet që nuk e njohin Kosovën ato janë mundësi të mëdha që përmes ekonomisë diplomatike të njihet edhe Kosova”.
Shahini edhe një herë ka bërë thirrje që deputet ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Ridvan Islamaj, pronar i fabrikës “Extra Fruit Fillings”, e cila merret me përpunimin e frutave, çokoladës dhe brumërave të ndryshme, tha se biznesi është familjar që me forcat e tyre kanë arritur të punësojnë mbi 30 veta.
Ai tregoi se mbulojnë tregun e Kosovës dhe eksportojnë 70 për qind jashtë në Rumani, Zvicër e vende të tjera.
“Presim mbështetje nga institucionet dhe kërkojmë nga parlamenti miratimin e Ligjit të Rimëkëmbjes ekonomike”.
Hajrullah Hoxha, nga ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se kjo kompani është përzgjedhur si më e suksesshmja.
“Përmes masave aktive ne e kemi mbështet kompaninë e tij pasi është përzgjedhur kompani e suksesshme edhe në tregun vendor dhe në atë ndërkombëtar”.