Testi serologjik, metodë hulumtimi për rastet me koronavirus

Prishtina është qyteti me më së shumti raste aktive të COVID-19 në atë që po konsiderohet si vala e dytë e këtij virusi.

E si rrjedhojë Qendra e Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka nisur të bëjë edhe një hulumtim krahas testimeve që bëhen çdo ditë, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Sipas kryeshefit të kësaj qendre, Sami Uka, hulumtimi ka për qëllim që të japë një pasqyrë rreth numrit të personave që janë prekur nga virusi.

Uka shton se në 4-mujorin e fundit testin serologjik e kanë bërë 8 mijë persona.

Ky program fillimisht, sipas tij, nisi vetëm në Qendrën e studentëve, por që rritja e kërkesës për testime bëri që ato të kryhen edhe në dy qendra të tjera, në lagjet “Ulpiana” e “Kodra e Trimave”.

Aktualisht lista e pritjes për test serologjik në kryeqytet është 2 javë.

Qytetarët që kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare tashmë kanë një rutinë ndryshe.

Tek dera hyrëse është vendosur stafi mjekësor, i cili vendos se ku duhet bërë kontrollet. Ata të dyshuar për koronavirus ndalen poshtë.

COVID-19 nuk ka lënë pa prekur edhe stafin shëndetësor, duke bërë që qendrat të përballen me vështirësi në organizim të punës.

E deri në normalizimin e situatës, Uka tregon se QKMF në Prishtinë është në pritje të rekrutimit të stafit të ri.