Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e saj të fundit kishte vendosur që të mërkurën, më 11 nëntor të mbahet seanca ku pritet të hidhet në votim për lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se është detyrë e Qeverisë që t’i ketë votat për miratimin e Projektligjit.
“Që nga dita e parë e krijimit të kësaj qeverie, ajo ka qenë e paaftë që të dëshmojë shumicën e nevojshme për të plotësuar programin e saj qeverisës pasi që po e ka të pamundur që të miratojë nismat e saj ligjore – sikurse kjo për masat ekonomike. Është detyrë e Qeverisë që të ketë minimumin e shumicën parlamentare për gjatë gjithë kohës, pra 61 vota, jo vetëm në ditë e formimit të saj”, tha Kryeziu.
Sipas tij, kjo qeveri e ka bërë jofunksional Kuvendin e Kosovës.
“Kjo qeveri duke qenë pa legjitimitet e me një deputet tashmë në burg, e ka bërë jofunksional edhe Kuvendin e Republikës. Ajo edhe për këtë është përgjegjëse. Prandaj, edhe ekziston nevoja e domosdoshme që vendi të shkojë në zgjedhje ashtu që institucionet që dalin nga ato zgjedhje të jenë me legjitimitet të plotë e plotësisht funksionale, si dhe të afta për të adresuar sfidat me pandeminë por jo vetëm”, shtoi ai.
Të premten e kaluar kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim ky Projektligj.
Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.
“Nuk ka kuorum për mbajtjen e kësaj seance. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi duke marrë parasysh zhvillimet politike në vend, ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet për datën 11 nëntor 2020”, kishte thënë nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.