Një nga sektorët më të dëmtuar në vend nga situata e krijuar si pasojë e virusit COVID-19, është gastronomia.
Kësisoj të njëjtit gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’ua lejojë punën me orar më të gjatë në periudhën e festave të fundvitit.
Sipas Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, kjo është mundësia e tyre e vetme që sado pak bizneset të arrijnë t’i mbijetojnë dhe të përmbyllin këtë vit.
“Kemi nevoje të mbijetojmë edhe në këtë fundvit! Lusim Qeverinë e Kosovës të na lejojnë të punojmë! Jemi pranë festave si për qytetarët e Kosovës po ashtu edhe për diasporën, duam të ju qëndrojmë më afër në kohë më të gjatë pune dhe sado pak ta përmbyllim së bashku një vit të brishtë, duke u mundësuar kështu edhe bizneseve të mbijetojnë. Është mundësia jonë e fundit që sado pak të mbesim në këmbë këtë vit. Me 3 lule nuk qel pranvera! Nëse qëndron ideja të lirohen masat vetëm për 3 netë të vitit të ri, atëherë për ne si gastronom mos e bëni fare. Siç e ceka, me 3 lule nuk qel pranvera!”, thuhej ndër të tjerash në reagimin e gastronomëve.
Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar ministrinë e Shëndetësisë, të cilët kanë deklaruar se në këtë kohë, si gastronomia si sektorët e tjerë duhet të jenë më solidarë me profesionistët shëndetësorë që janë të stërngarkar me raste të pacientëve si dhe të zbatojnë masat në fuqi të cilët po ua mundësojnë punën.
“Në këtë kohë, si gastronomia si sektorët e tjerë duhet të jenë më solidarë me profesionistët shëndetësor që janë të stërngarkuar me raste të pacientëve spitalor, të zbatojnë masat në fuqi të cilat u mundësojnë edhe atyre të punojnë dhe të tregojnë më shumë mirëkuptim për masat e ndërmarra të cilat qëllim kryesor kanë ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, duke futur në këtë mes edhe vet gastronomët dhe të tjerët”, u tha në përgjigjen e MSH-së.
Të njëjtit rikujtuan se masat në fuqi mundësojnë që gastronomia dhe veprimtaritë e tjera të punojnë me një orar që nuk është edhe aq i shkurtër.
“Në komunat që nuk janë në zonë të kuqe shërbimet merr me vete funksionojnë edhe pas orës 18:00”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
Por sa i përket mundësisë që në festat e fundvitit këto masa të ndryshohen, nga institucionet përgjegjëse u tha se e gjithë kjo do të varet nga rrjedha e mëtejme e situatës epidemiologjike, ani pse parashikimet janë që deri ka mesi i muajit, trendi i rasteve të vazhdojë të jetë i njëjtë.
“Më pastaj, më 18 dhjetor përfundon gjysmë-vjetori i parë i mësimit në shkolla dhe do të shihet si do të reflektoj kjo në numrin e rasteve por edhe segmente të tjera njëkohësisht”, deklarohen nga Ministria e Shëndetësisë.