Autoriteti i Konkurrencës nis procedurë hetimore ndaj KEDS-it dhe Kescos

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar sot se ka nisur procedurat hetimore ndaj Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji elektrike (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji elektrike (Kesco) nën dyshimet se kanë shkelur Ligjin e mbrojtjes së konkurrencës.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, zyrtarë nga Autoriteti i Konkurrencës kanë thënë se këto dy kompani dyshohet të kenë bërë marrëveshje të ndaluar.

Sipas AKK-së, KEDS-i ka abuzuar me pozitën dominuese duke krijuar pengesa në treg për burimet e ripërtërishme të energjisë “duke vendosur kufizime në pajisje apo produkte për sistemin e shpërndarjes dhe i ka kërkuar distributorit që të ketë vetëm produkte të një kompanie”.

Reklama e sponzorizuar

“KEDS ka vendosur çmimin joreal të shitjes. Kanë vendosur çmime ose kushte të tjera. KEDS e Kesco kanë krijuar pengesa ndaj investitorëve ku kanë shfrytëzuar ekspertë të njëjtë dhe të njëjtat zyra. KEDS e Kesco kushtëzojnë lidhje të kontratave për detyrime shtesë që për nga natyra s’kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave”, ka thënë në konferencën për media, kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi.

AKK-ja ka kërkuar dokumente prej palëve, që t’i dorëzojnë në afat prej 30 ditësh.