Brukseli i akordon Ballkanit Perëndimor 70 mln euro për vaksinën anti-Covid

Sot, Komisioni Evropian ka miratuar një paketë prej 70 milionë eurosh, nën Instrumentin e Paraanëtarësimit (IPA II) për të ndihmuar në vendet e Ballkanit Perëndimor në një aksesim më të shpejtë të vaksinës anti-Covid, raporton Ora News.

“Gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar që ne e trajtojmë Ballkanin Perëndimor si partnerë të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke marrë hapa për të mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet më të prekshme në rajon në fillim. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së vaksinave për grupet prioritare në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit.

Reklama e sponzorizuar

Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor të blejë një numër vaksinash nga Marrëveshjet e BE me gjashtë prodhues.

Ndërsa BE vazhdon të mbështesë iniciativën COVAX, struktura e botës për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19 dhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave sipas kësaj skeme pritet të fillojë më vonë se fushatat e vaksinimit në BE.

Aksesi në një numër dozash nga marrëveshjet e blerjes së BE do të lejojë që rajoni të fillojë vaksinimet paralelisht me shtetet anëtare të BE.

Komisioni dhe Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve po ndihmojnë gjithashtu rajonin në finalizimin e strategjive të vaksinimit në përputhje me rekomandimet e Komisionit për të siguruar përgatitjen e duhur të fushatave dhe administrimin e vazhdueshëm të vaksinave.

BE po financon gjithashtu një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të ndihmuar në menaxhimin e logjistikës dhe shpërndarjen e vaksinave.

Komisioni Evropian është i përkushtuar të sigurojë që të gjithë ata që kanë nevojë për një vaksinë ta marrin atë, kudo në botë. Kjo është arsyeja pse ajo menjëherë iu përgjigj thirrjes së OBSH-së për veprim dhe ka ndihmuar në mbledhjen e gati 16 miliardë eurove që prej 4 majit 2020 nën Reagimin Global të Coronavirusit, veprimin global për qasje universale në teste, trajtime dhe vaksina kundër koronavirusit dhe për rimëkëmbjen globale, njoftojnë nga Brukseli.

Investimi i BE-së në rritjen e kapacitetit prodhues do të jetë në shërbim të të gjitha vendeve në nevojë. Përmes Marrëveshjeve të Avancuara të Blerjes, u kërkon prodhuesve të bëjnë të disponueshëm kapacitetin e tyre të prodhimit për të furnizuar të gjitha vendet dhe bën thirrje për rrjedhën e lirë të vaksinave dhe materialeve pa asnjë kufizim eksporti.

Komisioni po koordinon gjithashtu dhurimin e disa prej dozave të prokuruara nga Shtetet Anëtare të BE për vende të ndryshme partnere në mënyrë që të garantojë qasjen e tyre të hershme në vaksinat COVD-19 për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe popullatat në nevojë derisa vaksinat përmes COVAX të jenë më të disponueshme.