Vlera e dollarit në raport me valutat tjera ra në nivelin më të ulët në dy vitet e fundit. Çuditërisht, një ndër shkaqet e kësaj dukurie po vlerësohet se është pakoja ndihmëse për ekonominë.
Vlera e valutës amerikane ra në nivelin më të ulët në më shumë se dy vjet në raport me euron, dollarin australian dhe dollarin e Zelandës së Re.
Për më tepër, vlera e dollarit amerikan ra në nivelin më të ulët në më shumë se pesë vjet në raport me frangun zviceran, por rënie të vlerës pati edhe në raport me valutat aziatike, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, të martën e bllokoi rritjen e ndihmave gjatë pandemisë në 2.000 dollarë, duke e shtuar edhe një mosmarrëveshje në bisedimet e gjata për pakon e rimëkëmbjes.
Vlera e dollarit ka shënuar rënie që nga dita kur Trumpi e nënshkroi pakon ndihmëse kundër pandemisë të dielën. Kjo ndodh për shkak se ndihmat shtetërore për ekonominë më të madhe në botë e zvogëlojnë kërkesën për sigurinë e perceptuar të mbajtjes së dollarit.
Përderisa pagesa ndihmëse e rimëkëmbjes është ende e paqartë, shumë analistë thonë se dollari ka gjasë të dobësohet edhe më tutje vitin e ardhshëm, sepse presidenti i ri, Joe Biden, pritet të kërkojë edhe më shumë masa përkrahëse për ekonominë.