Në tregun e këmbimit valutor vendas, këtë fillim jave dollari amerikan shënoi ringritje në raport me lekun, pas rënies së vazhdueshme që pësoi javën që lamë pas.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e gjelbër amerikane u ngjit me 0.68 lekë ndërsa euro humbi lehtë terren në raport me lekun në vlerën 0.04 lekë, krahasuar me fundjavën.
Në pozita të kundërta këmbehen me lekun sot edhe paundi britanik dhe franga zvicerane. Monedha britanike është zhvlerësuar ndjeshëm me 1.79 lekë, ndërsa franga zvicerane ka fituar 0.06 lekë.
Paundi britanik këmbehet me 134.45 lekë dhe franga zvicerane këmbehet me 114.14 lekë.
Banka e Shqipërisë zbaton një regjim të lirë të kursit të këmbimit.
Vlera e lekut kundrejt valutave të huaja përcaktohet lirisht në tregun e këmbimit valutor. Luhatjet e kursit të këmbimit reflektojnë lëvizjen e lirë të mallrave e të kapitalit në shkëmbimet tregtare dhe financiare të Shqipërisë me partnerët e saj tregtarë.
Pa cenuar regjimin e një kursi të këmbimit të lirë, Banka e Shqipërisë mund të kryejë veprime në tregun valutor me objektiv përshtatjen e kursit të këmbimit me nivelin e përcaktuar nga faktorët bazë makroekonomike, shmangien e çrregullimeve dhe rritjen ose uljen e rezervës valutore.
Banka e Shqipërisë llogarit dhe publikon kursin zyrtar të këmbimit. Ky kurs është një nivel referencë (i vetëm), i cili mund të përdoret nga të interesuarit për qëllime tregtuese, vlerësuese, krahasuese dhe statistikore/ATSH.