Faqja e Trustit nuk funksionon as pas orës 15:00

Megjithëse është paraparë që sot në ora 15:00 të fillojë aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti, ueb-faqja trusti10.org nuk është duke funksionuar.

Kjo faqe ishte hapur pikërisht për të shmangur ngarkesat apo problemet teknike dhe për të lehtësuar procedurat e aplikimit për qytetarët.

Ndërkohë, zëdhënësi i Trustit Pensional të Kosovës, Jeton Demi ka mohuar se ueb-faqja trusti10.org, nuk është duke punuar.

Reklama e sponzorizuar

Demi për Telegrafin ka thënë se ueb-faqja duhet të ketë përgatitje paraprake.

Ai tha se faqja duhet të testohet në ora 15:00, ndërsa tha se lansimi do të bëhet në atë kohë.“Faqja duhet të testohet në ora 15:00. Ajo faqe duhet me i pas do përgatitje paraprake. Faqja as nuk është hapur as nuk ka ra. Ne e kemi bërë të ditur faqen vetëm për ta promovuar. Lajmi që faqja ka ra nuk është i vërtetë, sepse nuk është ngrit, ka qenë vetëm për tu informuar qytetarët se ku do të aplikojnë. Për të qenë e gatshme faqja duhet të lansohet. Do të lansohet në një orë që është caktuar, e para lansimit është normale që të bëhen disa përmirësime të cilat i shërbejnë daljes finale”, tha Demi.

Ndryshe, Trusti Pensional i Kosovës ka hapur një ueb-faqe të veçantë (trusti10.org) përmes së cilës qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë nga sot në ora 15:00 për të tërhequr 10 për qind të mjeteve të kursyera në bazë të Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike.

Kryeministri Avdullah Hoti ditë më parë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike takoi përfaqësuesit e Trustit dhe Bankës Qendrore të Kosovës për të diskutuar rreth zbatimit të këtij Ligji.

“E falënderoj Trustin dhe BQK-në për kryerjen e të gjitha procedurave në mënyrë që qytetarët shumë shpejtë të fillojnë procedurën e aplikimit për tërheqjen e këtyre fondeve. Nga informatat që morëm është hapur edhe ueb-faqja. Të gjitha përgatitjet janë bërë, të premten në orën 15:00 hapet sistemi për të aplikuar për tërheqjen e mjeteve”, kishte thënë kreu i ekzekutivit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të premten e kaluar kanë votuar në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Pas miratimit, ky Ligji është dekretuar nga Zyra e Presidencës dhe ka hyrë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Qeveria e Kosovës me ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.