Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, me anë të një komunikate për media ka bërë thirrje për zgjatjen e orarit të funksionimit të bizneseve për të gjitha komunat, në mënyrë që të mundësohet operimi normal i bizneseve gjithmonë duke marrë parasysh rekomandimet e OBSH-së.
Kjo pasi sipas tyre, tentativat modeste për të ndikuar në ekonomi nga ana e shtetit, kanë rezultuar fatkeqësisht të pasukseshme, dhe sa më shumë kohë që nuk jemi përkrahur ekonomikisht, dëmet janë përshkallëzuar edhe më shumë.
“Duke marrë parasysh situatën dhe mos-efektivitetin e masave, ne njëzërit edhe me Odat dhe Shoqatat tjera sektoriale, i bëjmë thirrje Qeverisë që të drejtojë fokusin drejtë çështjeve ekonomike dhe të ngrisë nivelin e dialogut publiko-privat. Rrjedhimisht, ne konsiderojmë të domosdoshme zgjatjen e orarit të funksionimit të bizneseve dhe unifikimit të tij për të gjitha komunat në mënyrë që të mundësohet operimi normal i bizneseve gjithmonë duke marrë parasysh rekomandimet e OBSH-së”, thanë tutje nga Shoqata e Gastronomëve.
Sipas kësaj Shoqate, në bazë të rezultateve të hulumtimit të SHGK-së, po të lejohej që bizneset të veprojnë në rrethana normale (pa kufizime kohore), 45% e bizneseve kanë raportuar që do t’iu duhet më shumë se një (1) vit për t’u rikuperuar. Ndërsa, 43% prej tyre janë shprehur se do t’iu duhet 3-12 muaj që të kthehen në gjendje normale të funksionimit.
“Për këto arsye, zgjatja e orarit pashmangshmërisht duhet të ndodhë!”, përfundojnë ata. /Buletini Ekonomik/