Gjykata Themelore merr vendim për pezullim të punës së “Kelkosit” për hidrocentralet në Deçan

Gjykata Themelore ka marrë vendim që ta pezullojë punën e dy hidrocentraleve në Deçan. Këtë e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje.

Përmes një postimi në Facebook, Vetëvendosje ka thënë se Gjykata ka vendosur ta shtyjë ekzekutimin e lejeve dhe licencave që Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë i patën dhënë kompanisë private “Kelkos Energy” për hidrocentralet.

“Aktvendimi i sotëm pezullon aktet e kontestuara deri në shqyrtimin e padisë së aktivistit tonë Selmanaj. Përfundimisht, presim që gjykata ta miratojë padinë, duke anuluar lejet dhe licencat që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Organet e paditura dhe palët e interesuara kanë 15 ditë afat të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Lëvizja Vetëvendosje këtë e ka quajtur fitore kundër degradimit të natyrës dhe jetës së banorëve në atë pjesë.

“Kjo njëherit inkurajon angazhimin individual e kolektiv për beteja të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë. Aktivistët dhe deputetët e Lëvizjes po angazhohen për ta mbrojtur mjedisin si përmes Kuvendit të Republikës ashtu edhe përmes nismave të tjera vendore e ndërkombëtare”, thuhet tutje në njoftim. 

https://www.facebook.com/vetevendosje/posts/10157304862937000