Hetimi i ndërtimit të hidrocentaleve

Betejën mbi 5-vjeçare të banorëve të Bitisë së Poshtme për ta kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë lumit Lepenc, drejtori i kompanisë “Matkos”, Labinot Vitija, e ka quajtur të motivuar politikisht.

Gjatë raportimit para Komisionit hetimor për licencimin e hidrocentraleve ka thënë se banorët e asaj ane janë shfrytëzuar për vota.

“Veç mos me na u përzie politika se këtu ka pasur për shembull të gjitha parti kanë shkuar në Biti dhe i kanë joshur për një grusht vota me dal në rrugë dhe kjo besoj se nuk i bënë mirë as vendit as investimeve”, ka deklaruar Vitija.

Reklama e sponzorizuar

Banorët e Bitisë së Poshtme kanë protestuar vazhdimisht kundër futjes së lumit Lepenc në gypa për shkak se i ka privuar nga uji, të cilin e kanë shfrytëzuar për ujitjen e tokës ku ata kultivojnë kryesisht mjedra dhe për ndotjet e ujit nëpër puse me të cilat furnizohen.

Nga anëtarët e Komisionit, Vitia është pyetur për kapitalin 30-milionësh që e ka futur në ndërtimin e hidrocentraleve.

“Në momentin kur ke aplikua ke qenë në moshë bukur të re a e ke pasur një kapital fillestar milionësh si investim a ke startuar me kapital të tillë apo ka qenë vetëm ide e më pas janë bërë edhe mundësitë?”, ka pyetur Salih Zyba, deputet i Vetëvendosjes.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Bajrush Xhemajli, ka pyetur për reduktime të ujit të pijes për banorët e Bitisë së Poshtme.

“Uji a është ndërprerë diku kur keni hapur një gropë të madhe, a është ndërprerë për pije”, ka thënë Xhemajli.

“Po aty ka dal edhe një komision nga ministria për ujëra dhe ka dal me konstatim se ai ujë nuk është ndërprerë për shkak të punimeve tona përndryshe kishte qenë kundër sepse kanalizimi kishte qenë diku poshtë apo më lartë, por kërkojeni raportin nga ministria e Ambientit”, është përgjigjur Vitija.

Në Komision kanë raportuar edhe drejtori i kompanisë “Eurokos”, Ylber Shamolli, i cili ka thënë se ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara dhe se ka mohuar se ka pasur korrupsion në procesin e tij, apo afërsi me ndonjë parti politike.

Ka thënë se ka 5 hidrocentrale dhe se për hidrocentralin më të madh me 10 megavate në Ibër-Lepenc ka leje mjedisore.

Edhe drejtori i kompanisë “Hydroline”, Muhamer Ibrahimi, ka thënë se ka marrë pëlqimin e banorëve të Shalës për hidrocentralin dhe ka punësuar disa prej tyre.