Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se së shpejti do të merren masa shtesë në luftimin e koronavirusit. Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se duke parë trendët në rritje në Evropë dhe rajon, edhe në Kosovë pritet të ketë rritje të rasteve të reja me COVID-19.
Në një reagim për situatën dhe koordinimin për masat anti-COVID, Hoti ka thënë se masat që Qeveria ka marrë më 11 nëntor kanë dhënë rezultat. Megjithatë, sipas tij, shumë shpejt do të propozohen masa shtesë.
“Tani, në prag të festave, jemi para një rreziku të përhapjes së infeksionit për shkak të lëvizjeve të mëdha të qytetarëve që ndodhin në kohë festash. Të gjithë po e shohim trendin në rritje në BE dhe rajon, ku disa vende janë mbyllur plotësisht. Kjo nënkupton se për disa javë edhe tek ne rastet do të rriten.Prandaj, me propozim të IKSHP-së dhe në konsultim të gjerë, Ministri i Shëndetësisë do të propozojë së shpejti masat shtesë. Masat do të ndërmerren në konsultim edhe me komunat, shoqatat e bizneseve, grupet e ndryshme, si dhe partnerët dhe organizatat ndërkombëtare që po na ndihmojnë në menaxhimin e situatës. Nga muajt e verës, ne jemi duke kryer konsultime javore me partnerët dhe organizatat relevante ndërkombëtare, ku çdo të premte e vlerësojmë situatën dhe marrim rekomandime nga ta”, ka shkruar ai.
Më tej Hoti ka bërë të ditur se ka kërkuar që menjëherë të merren disa masa të tjera:
– Të gjitha institucionet publike të ndalojnë çfarëdo organizimi për fundvit që i bëjnë zakonisht për punonjësit e institucioneve. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të përgatisin urdhëresën për këtë qëllim.
– Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkërendim me komunat, të urdhërojë menjëherë të gjitha shkollat të ndalojnë çfarëdo organizimi apo ekskursioni të nxënësve apo arsimtarëve.
– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është përgjegjëse për ngjarjet sportive e kulturore, të cilat mund të zhvillohen vetëm sipas udhëzimeve të parapara në manualin për mbrojtje nga covid19. Një komision do të funksionojnë brenda ministrisë për miratimin e ngjarjeve të tilla.
– Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, së bashku me AVUK-un, të inspektojë zbatimin e masave me mbështetje të policisë.
– Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes ambasadave tona të njoftojë bashkatdhetarët për masat që janë në fuqi në Kosovë, si dhe kërkesat e vendeve përkatëse kur bashkatdhetarët të kthehen në vendet ku punojnë dhe jetojnë.
– Ministria e Shëndetësisë të mbajë konferencën e rregullt me medie për të informuar qytetarët me gjendjen dhe masat që duhet respektuar, në veçanti masat që do të ndërmerren për fundvit.