Institucionet vazhdojnë të “heshtin” për vjedhjen e 2.1 milionë eurove

Institucionet nuk e kanë dhënë asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me 2.1 milionë eurot që u vodhën nga Thesari i Shtetit në fund të muajit tetor. Ministria e Financave është shprehur e rezervuar për këtë rast, kurse Prokuroria Speciale e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS. Këtë heshtje, në shoqërinë civile e shohin si mundësi për keqpërdorime në atë që vlerësohet si një prej skandaleve më të mëdha në historinë e shkurtër të shtetit të Kosovës

Dy muaj nga zbulimi i skandalit të vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, ende nuk dihet nëse nga kjo shumë është arritur të shpëtohet diçka.

Këto mjete u transferuan në llogarinë bankare të operatorit ekonomik “LDA Group SH.P.K”, nga e cila dyshohet se më pas paratë janë transferuar në llogaritë e disa operatorëve ekonomikë.

Reklama e sponzorizuar

Nga Ministria e Financave, pjesë e së cilës është Thesari, thanë se shkaku i hetimeve janë të rezervuar në dhënien e detajeve, duke mos treguar as nëse është arritur të kthehet diçka nga shuma e vjedhur.

Në një përgjigje me shkrim, nga Ministria kanë përsëritur se sistemet e pagesave janë të sigurta.

“Siç jeni në dijeni, institucionet kompetente janë duke e trajtuar rastin, ndaj ne jemi të rezervuar në komente për statusin e rastit. Sa i përket rrjedhës së hetimeve, kompetente është Prokuroria e Shtetit. Analiza të brendshme janë bërë, përfshirë edhe auditim të brendshëm, ndërsa është hartuar një plan i veprimeve teknike dhe operacionale që është në proces të zbatimit. Disa nga këto veprime janë ndërmarrë dhe tashmë janë funksionale, ndërsa disa të tjera janë në proces. Sidoqoftë, rikonfirmojmë se sistemet janë të sigurta dhe nën kontroll të plotë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Detaje nuk ka dhënë as prokurori i këtij rasti, Enver Krasniqi, i cili ka rekomanduar që pyetjet të dërgohen në Zyrën për media të Prokurorisë Speciale të Kosovës. Por, ka dy javë që ky institucion nuk i ka kthyer përgjigje KOHËS në pyetjet lidhur me fazën në të cilën kanë mbërritur hetimet.

E, refuzimi i institucioneve për të dhënë informacione rreth këtij rasti, krijon hapësirë për keqpërdorime të mundshme, thotë drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli – Nimani.

“Uroj shumë që ky rast të mos përfundojë sikur vjedhja e dëshmive në polici shumë vjet më herët, që ende nuk kemi një person përgjegjës për atë vjedhje që ka ndodhur”, ka thënë Demolli.

Demolli – Nimani shton se qytetarët duhet të informohen se çfarë ka ndodhur me paratë prej të cilave kanë përfituar edhe kompani që kanë lidhje me politikën.

“Ajo që ne nuk kemi parë, sa prej këtyre kompanive që operojnë në Kosovë kanë arritur institucionet e shtetit t’i tërheqin ato mjete që janë transferuar. Nuk e kemi parë një komunikim me shtetin e Turqisë, ku dihet se një pjesë e mjeteve ka kaluar edhe jashtë Kosovës, konkretisht në Turqi”, ka shtuar ajo.

Për këtë rast, në paraburgim gjenden punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, dhe përfaqësuesi i kompanisë LDA Group, Kadri Shala, ndërkaq një person tjetër vazhdon të jetë në arrati.

Gjatë hetimeve që kanë të bëjnë me këtë rast, policia ka sekuestruar tri vetura.