Kryetari i të ashtuquajturit organ i përkohshëm i Komunës së Mitrovicës, Aleksandar Spiriq, ka falënderuar Serbinë për mbështetjen që po jap për komunat në veri të Kosovës dhe ka shtuar se “Nëse mbetemi të një mendimi, do t’ia dalim në të gjitha”.
Spiriq, që udhëheq një organ paralel dhe ilegal, ka thënë se punët po vazhdojnë në 94 njësi banimi, ndërkohë që në përfundim është edhe kishëza afër varrezave të qytetit, për të cilin projekt janë ndarë 130 mijë euro.
Sipas Spiriqit, po punohet edhe rreth urës Ibër, në rrugë të ndryshme, pastaj në rezervuarët që sipas tij, do të përmirësojnë furnizimin me ujë, ka shkruar të premten Kossev.
Ai ka thënë se këto projekte nuk përmirësojnë vetëm infrastrukturën, por edhe mundësojnë punësimin e të rinjve.
Ai në konferencën për media të mbajtur të premten ka falënderuar kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pastaj qytetin e Beogradit, me ndihmën e të cilit, sipas tij, po ndërtohet dy objekte banimi kolektiv në Mitrovicë të Veriut.
Në fakt, investimet në këtë pjesë në të shumtën e rasteve nuk kanë lejen e autoriteteve të Kosovës dhe punohet sipas urdhrave të Serbisë.
Në komunat veriore, po ashtu ka organe të zgjedhura sipas Kushtetutës së Kosovës dhe kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, u zgjodh para pak ditësh, Milan Radojeviq, por funksionojnë edhe organet paralele, si në këtë rast me Spiriqin në krye.