Kuvendi i Kosovës këtë legjislaturë po vazhdon të ballafaqohet me mungesë të kuorumit për votimin e ligjeve dhe rezolutave të shumta. Mosmarrja pjesë në votim e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është shndërruar në praktikë për këtë legjislaturë, e që ka ndikuar të grumbullohen pika të rendit të ditës që nga muaji gusht.
Organizatat që bëjnë monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës, deklarojnë për KosovaPress, se rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës duhet të përfshijë ndëshkime financiare dhe ndëshkime të tjera për deputetët që mungojnë në punimet e Kuvendit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pagë bazë kanë 1 mijë e 547 euro, pa llogaritur këtu mëditjet që ata marrin për pjesëmarrje në seanca dhe në komisione parlamentare, që duke përfshirë këto paga e tyre arrin deri në 2 mijë euro.
Rregullorja aktuale e punës së Kuvendit të Kosovës nuk parasheh ndëshkime për deputetët që nuk marrin pjesë në votim gjatë një seance. E një gjë të tillë po e kërkon Artan Demhasaj nga organizata Çohu. Ai thotë se rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës duhet të parasheh sanksione për deputetët që nuk marrin pjesë në votim.
“Në rishikim të rregullores së Kuvendit duhet me u parapa kjo dhe duhet të sanksionohet kjo çështje për shkak se deputetët të marrin mandat nga qytetarët për ta përfaqësuar zërin e tyre, qoftë nëpër komisione apo edhe në seancat plenare të Kuvendit, qoftë me votën pro apo kundër në çka do që diskutohet aty dhe çka do që votohet. Nuk është e drejtë fakti që deputetët fillimisht bëhen pjesë e komisioneve, nënshkruhen në listat që janë aty dhe pastaj përmes atij nënshkrimi e marrin edhe mëditjen meqë kanë qenë pjesë e mbledhjes së komisionit apo edhe seancës plenare dhe në momentin kur diskutohet një pikë e rendit të ditës për të cilën ata nuk pajtohen, ata automatikisht largohen dhe e prishin kuorumin e mbledhjes, qoftë komision apo në seancë në Kuvend. Pra, në momentin kur e nënshkruan listën dhe bëhesh pjesë e asaj mbledhje, mendoj që nuk ish dashtë ta ketë mundësinë që më tutje në mes të mbledhjes me dalë dhe me e prishë kuorumin. Kjo ish dashtë të sanksionohet me rregulloren e re të Kuvendit”, thotë ai.
Të njëjtën kërkesë që rregullorja e re e Kuvendit të përfshijë sanksione financiare për deputetët që nuk marrin pjesë në votim e ka edhe Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Nëse do të kishte një dispozitë të tillë brenda rregullores së Kuvendit, Haxhiu thotë se do të ndikonte në zhbllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme që ta përfshijë një mekanizëm sanksionues financiar i cili do t’i sanksiononte deputetët të cilët nuk marrin pjesë në votim e para dhe e dyta nuk qëndrojnë gjatë gjithë kohës sa zhvillohen punimet plenare. Kjo në fakt ka qenë edhe një propozim dhe një përpjekje e legjislaturave të kaluara sidomos të pestës dhe të gjashtës kur është hartuar një rregullore e re, ndonëse ka dështuar për t’u miratuar”, thotë ajo.
Ajo thotë se që një gjë e tillë të ndodh, duhet të ketë vullnet nga partitë politike, por që thekson se deri më tani ka munguar.
Ndërsa, Allen Meta nga D4D, thotë se ndëshkimin më të madh deputetët të cilët nuk marrin pjesë në seanca apo e bojkotojnë votimin duhet ta marrin nga qytetarët, derisa thekson se edhe përfshirja e ndëshkimeve në rregullore do të ishte e mirëseardhur.
Në seancat e fundit kanë dështuar të miratohen disa marrëveshje ndërkombëtare, projektligje e rezoluta nga interpelancat e kryeministrit e ministrave të Qeverisë së vendit. /Kp/