Kompania “Frutex” nga Suheraka dhe “S//Sprint” nga Podujeva, me gjithë vështirësitë për operim gjatë periudhës së pandemisë, kur shumë biznese kanë raportuar humbje financiare, nuk kanë pasur rënie të qarkullimit dhe prodhimit, krahasuar me vitin e kaluar.
Pronarët e këtyre kompanive pohojnë se me vështirësi dhe me angazhim të punëtorëve kanë arritur që edhe të rritet sasia e prodhimit, por jo sipas planifikimeve të bëra.
Shaqir Palushi është pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike. Ai nuk e mohon faktin se masat emergjente të vendosura që prej 13 marsit, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, kanë sjellë vështirësi në operim, por megjithatë tregon se ka arritur ta përmbyllë vitin me rezultate pozitive.
Palushi: Gjatë këtij viti kemi siguruar tregje të reja ndërkombëtare
Palushi madje tregon se gjatë këtij viti, përveç tregut në Ballkan, ka arritur që produktet e “Frutex-it”, sidomos “Golden Eagle”, pije joalkoolike, të eksportohen për herë të parë edhe në tregjet e tri shteteve ndërkombëtare.
“Përveç se janë rritur numrat në tregjet aktuale në të cilat kemi qenë, kemi shtuar disa vende, ku për herë të parë kemi filluar të eksportojmë në Finlandë, Luksemburg dhe Afrikë, përkatësisht në Kongo”, thotë Palushi për Radion Evropa e Lirë.
Përveç këtyre, në tregjet aktuale ndërkombëtare ku “Frutex-i” është i pranishëm me produktet e tij, Palushi, thotë se është rritur dukshëm shitja produkteve “Made in Kosova”.
“Në Gjermani dhe Zvicër kemi shitur me nga dy milionë produkte, kurse në tregun e Suedisë, Anglisë dhe të Italisë janë shitur me nga një milion produkte, ndërsa rritje të shitjeve ka pasur në Emiratet e Bashkuara Arabe”, thekson ai.
Sopa: Kemi mbuluar tregun vendor
Kompania “S//Sprint” e cila merret me prodhimin e veshjeve sportive, e që gjendet në Komunën e Podujevës, që dy vjet ka arritur që të produktet t’i eksportojnë në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe në Evropë, përkatësisht në Zvicër, Gjermani dhe Francë.
Pronari i kësaj kompanie, Sami Sopa, tregon se gjatë këtij viti, nuk ka pasur rritje të shitjes së prodhimeve në këto shtete, por në tregun e Kosovës, shprehet ai, ka pasur rritje të konsiderueshme, çka ka bërë që edhe ky vit të mos shënohet me humbje, por me rezultate pozitive në qarkullim.
“Shpresojmë se së shpejti do të fillojmë eksportin në sasi më të mëdha në këto shtete. Fillimisht në tregun e Kosovës ka pas hezitime, por tashmë jemi jashtëzakonisht të kënaqur. Produktet janë shumë kualitative dhe kjo ka ndikuar në mbulimin e tregut të Kosovës më produkte të ‘S//Sprint’, por edhe popullata është e kënaqur”, tha ai.
Sopa tregon se për të mbajtur tregun dhe kërkesat për produkte, disa herë kanë punuar edhe jashtë orarit.
“Gjatë kohës se pandemisë është kërkuar angazhim më i madh, punë më shumë edhe jashtë kohës së rregullt të punës”, thotë ai.
Ndryshe, nga “S//Sprint”, kompania “Frutex” ka pasur një rënie të vogël gjatë këtij viti në tregun e Kosovës. Shaqir Palushi, thotë se kjo ka ndodhur për shkak të ndërprerjes së punës së sektorit të gastronomisë për dy muaj dhe më pas punës së tyre me orar të kufizuar.
“Diferenca e uljes së shitjes vjen nga sektori i gastronomisë, kurse rritje ka pas në zinxhirin e marketeve”, tregon ai.
Palushi: Punëtorët, aseti më i vlefshëm i kompanisë
Në kompaninë “Frutex” punojnë rreth 180 punëtorë, kurse 15 punëtorë të rinj janë punësuar gjatë këtij viti, thotë Palushi, duke shtuar se nga fillimi i vitit 2020 për të punësuarit ka rregulluar sigurimin shëndetësor.
“Jemi shumë të kënaqur me punën e punëtorëve sepse vlerësojmë se punëtorët janë aseti më i vlefshëm i kompanisë. Ne mundohemi që edhe pagesat e punëtorëve të jenë të mira”, thotë ai.
Sopa: Rezultat nuk janë të kompanisë, por të punëtorëve
Edhe Sami Sopa, thekson se pa angazhimin dhe vullnetin e punëtorëve, kompania nuk do arrinte që produktet të jenë cilësore dhe kualitative. Kjo kompani numëron 100 punëtorë, aq sa ka pasur edhe para pandemisë.
“Nuk ka humbje të vendeve të punës. E kemi numrin njëjtë të punëtorëve, sikurse vitin e kaluar, sepse ne i aftësojmë ata për punë. Falë angazhimit të tyre, sepse ne kemi punuar edhe jashtë orarit të punës në mënyrë që të evitojmë pasojat e pandemisë, kemi arritur rezultate. Pra, ky rezultat nuk është i joni, por i punëtorëve tanë”, thotë Sopa.
Pavarësisht këtyre kompanive, biznese të shumta në Kosovë kanë raportuar humbje të mëdha për shkak të pandemisë. Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, humbjet e bizneseve në Kosovë konsiderohen të jenë mbi një miliard euro.
Kuvendi i Kosovës, më 4 dhjetor ka miratuar Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, me qëllim që të ndihmojë bizneset që kanë pasur vështirësi financiare për shkak të pandemisë.
Përveç disa lehtësirave tatimore dhe mundësisë së garantimit të normës së interesit për kredi nga bizneset, në bazë të ligjit janë ndarë 200 milionë euro si subvencion për kompanitë private. Por, autoritetet kompetente ende nuk kanë dhënë informacione për procedurat dhe kushtet e ndarjes së këtyre mjeteve që pritet të realizohen vitin tjetër.