901 kosovarë aplikuan në MSH për shërim jashtë vendit këtë vit, buxheti u rrit për dy milionë

Sejdi Smajli nga Lipjani, Ilir Behluli nga Gjilani dhe Valentina Ibrahimi nga Ferizaj janë tre të rinjtë që kanë vdekur kohët e fundit nga Leukemia Akute, sëmundje e cila nuk trajtohet në Kosovë.

Mungesa e ofrimit të disa shërbimeve mjekësore brenda institucioneve publike shëndetësore në Kosovë, por edhe në institucionet private shëndetësore, ka bërë që shumë pacientë të kërkojnë ndihmë financiare nga qytetarët për shërim jashtë vendit. Turqia dhe Gjermania janë destinacioni ku kosovarët kryesisht drejtohen për t’i kryer këto shërbime mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë për çdo vit ndan një buxhet, i cili ka për qëllim t’i mbështesë financiarisht këta pacientë, ndërsa për këtë vit buxheti është rritur për dy milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Nga Fondi për Sigurime Shëndetësore kanë bërë të ditur për “Zërin” se 901 pacientë kanë aplikuar këtë vit për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Në mesin e këtyre pacientëve është edhe Egzon Sadikaj, nga fshati Sopi e Suharekës, familja e të cilit po pret edhe ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë për ta nisur Egzonin në Gjermani, ku e kanë gjetur një spital, i cili do ta trajtojë sëmundjen e të riut.

Babai i tij ka thënë për “Zërin” se kanë aplikuar për ndihmë në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa edhe me ndihmën e qytetarëve është mbledhur një shumë e konsiderueshme e parave për ta nisur Egzonin jashtë vendit.

“Ministria ende nuk na ka ndihmuar, sepse na ka kërkuar edhe një dokument nga spitali, tash po presim vetëm me dërgu në Ministri. Brenda këtyre ditëve spitali në Gjermani do të na njoftojë me gjithë procedurën dhe çmimin për shërimin e Egzonit”, ka thënë ai.

Me dy milionët e shtuar në buxhetin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për shërim jashtë vendit ky buxhet ka arritur në 8 milionë euro këtë vit, ndërsa deri tani thuajse është shpenzuar plotësisht.

Fondi vjetor, ose buxheti historik, i ndarë nga Qeveria për Programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, fillimisht ka pasur të alokuar 6 milionë euro.

Me rishikim të buxhetit janë ndarë edhe dy milionë shtesë, ndërsa deri më tani janë shpenzuar 7.835.068.21 euro, kanë thënë nga Fondi për Sigurime Shëndetësore.

Vitin e kaluar ishin aprovuar 1436 kërkesa për shërim jashtë vendit, ndërsa buxheti për këto kategori ishte gjashtë milionë euro.