Kosova pezullon linjat ajrore me Britaninë e Madhe

Kosova ka marrë vendim që të pezullojë fluturimet me Britaninë e Madhe, pasi atje ka nisur përhapja e një varianti të ri të koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet një njoftimi thotë se bazuar në kompetencat e ti lidhur me masat anti-covid, ministri në detyrë Armend Zemaj ka nxjerrë vendim për masa të veçanta për mbrojtje nga përhapja e infeksionit/sëmundja Covid-19 për pezullimin e të gjitha linjave ajrore të fluturimit në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” nga Britania e Madhe për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas.

“Të gjithë qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe në pikat tokësore obligohen të vetë-izolohen për 14 ditë në shtëpitë/banesat e tyre. Vendimi udhëzon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të marrin vendimet dhe veprimet e nevojshme në përputhje më fushat e përgjegjësitë administrative të tyre me qëllim të zbatimit të këtij vendimi”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq, tutje theksohet se për të gjithë personat fizik dhe juridikë që nuk respektojnë këto masa, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit Nr. 07/L-006 për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

“Vendimi është në fuqi që nga sot”, thuhet tutje.

Image