Mërgimtarët të cilët paguan primën e policës së sigurimit në kufi do të rimbursohen

Bashkëatdhetarët, këto tri ditët e fundit, janë nisur drejt vendlindjes, për t’i kaluar festat e fundvitit.

Si edhe përherë, ata u ballafaquan me pritje të gjata e mërzitshme në pikat kufitare, veçmas në atë Hungari-Serbi.

E, përmes një postimi në faqen zyrtare Facebook, Byroja Kosovare e Sigurimit, ka dalë me një njoftim, për bashkëatdhetarët që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në lidhje me primin e sigurimit kufitar, për të cilin Qeveria u zotua se do ta mbulojë koston e policave të lëshuara deri në fund të këtij viti.

Reklama e sponzorizuar

Tutje ky institucion sqaron se të gjithë qytetarët që kanë paguar primin e sigurimit për polica, mund të shkojnë në zyrën qëndrore të Byrose për kthim të mjeteve financiare.

Ky është njoftimi i plotë:

Të nderuar bashkëatdhetarë,

Sot përmes mediave jemi informuar se gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës, disa nga ju keni paguar primin e sigurimit kufitar për të cilin, përmes Marrëveshjes së Bashkëpunimit të datës 30.07.2020 Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar se do të mbuloj koston e këtyre policave të lëshuara deri me datë 31.12.2020.

Për shkak të kohës së shkurtë që kemi pasur në dispozicion për përshtatjet teknike dhe adaptimit të zbatimit të kësaj Marrëveshje, problemet teknike si kjo janë shfaqur vetëm tani dhe kjo veçse është trajtuar dhe rregulluar.

Të gjithë qytetarët që kanë paguar primin e sigurimit për policat e sigurimit të lëshuara sipas Marreveshjes së Bashkëpunimit të datës 30.07.2020, mund të vijnë në zyrën qendrore të Byrose Kosovare të Sigurimit për kthimin e primit të paguar.